Krasniqi: Pa Epopenë e Jasharëve s’do të kishim liri dhe pavarësi

Ish-zëdhënësi i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), historiani Jakup Krasniqi, me rastin e shënimit të 21-vjetorit të 5, 6 dhe 7 marsit të vitit 1998, ka thënë se pa epopenë e Jasharëve në Kosovë nuk do të nxehte dielli i lirisë dhe pavarësisë.

Për më shumë se dy dekada pas kësaj ngjarje të rëndësishme për vendin dhe kombin shqiptar, ai ka thënë se fitorja është e madhe, por jo e plotë.

Në një intervistë për gazetën “Epoka e re”, Krasniqi ka deklaruar se Prekazi i Poshtëm dhe Lagjja e Jasharëve janë bërë qendra të pelegrinazhit për të gjithë shqiptarët, ndërsa Adem legjendari kryesimbol i lirisë dhe i pavarësisë sonë.

Ai ka thënë se është koha që institucionet shtetërore t’i kushtojnë vëmendje të shtuar dhe serioze Kompleksit Memorial “Adem Jashari”, që është bazamenti i lirisë dhe i shtetit tonë.