Krasniqi: Kurti mashtroi qytetarët, PDK-ja do të votojë edhe kundër ‘Qeverisë Hoti’

Memli Krasniqi nga PDK-ja ka bërë të ditur edhe një herë se deputetët e këtij subjekti politik do të votojnë kundër ‘Qeverisë Hoti’

Nënkryetari i Kuvendit të Kosovës nga radhët e PDK-së, Memli Krasniqi, ka thënë se PDK është konsistente dhe shumë e qartë në qëndrimet e saj, do të vazhdojë të mbetet në opozitë deri në zgjedhjet e ardhshme dhe nuk do ta votojë qeverinë e ardhshme.

“Nuk ka asnjë votë në PDK për qeverinë e ardhshme. Ky është qëndrim dhe është vendim i Kryesisë së PDK dhe Grupit Parlamentar. Ne do të votojmë kundër ashtu sikur për qeverinë e Albin Kurtit”, tha Krasniqi në Klan Kosova.

Deputeti i PDK-së, Memli Krasniqi, tha se vendimi i Gjykatës Kushtetuese për pezullimin e dekretit të presidentit është një vendim i drejtë.

Ai në Rubikon tha se, Partia Demokratike asnjëherë nuk i ka kontestuar vendimet e Gjykatës Kushtetuese edhe kur ato nuk kanë qenë ashtu siç PDK kishte pritur.

“Unë edhe personalisht kam shpresuar që gjykata do të miratojë masën e përkohshme në mënyrë që të mos ketë asnjë paqartësi që verdikti final i gjykatës të mos ketë kontestim. Ne si PDK gjithmonë i kemi mirëpritur dhe pranuar aktvendimet e Gjykatës Kushtetuese. Në vitin 2014, kur kemi pasur në Gjykatën Kushtetuese në kohën e VLAN-it dhe e kemi prit një verdikt final tjetër, por megjithatë verdikti që Gjykata e ka nxjerrë ka qenë i respektueshëm edhe nga ana jonë”.

“Besoj që ka qenë vendim i mirë edhe shpresoj që do të ketë një aktgjykim final sa më shpejt që të jetë e mundur gjatë muajit maj, në mënyrë që t’i hapet rrugë një procesi i cili do të jetë i bazuar në kushtetutën e vendit” tha Krasniqi.

Ai tutje shtoi se vendit i duhet një qeveri me legjitimitet të plotë, por tha se megjithatë Partia Demokratike nuk do ta kishte votuar një qeveri që do ta kishte propozuar Kurti e as nuk do ta votojë qeverinë Hoti.

“Është problematike kur për shkak të një qeverie e cila në fakt ka një rol kujdestarie, ka një vazhdimësi të të qenit në detyrë, por nuk ka kapacitet të plotë vendimmarrës dhe nuk ka legjitimitet në raport me Kuvendin, të vazhdohet puna ashtu siç do të duhej. Dhe për këtë arsye po shpresoj që sa më shpejt që Gjykata Kushtetuese do të japë verdiktin e vetë dhe ne do të kemi mundësi të ecim përpara”, deklaroi Krasniqi.