KQZ-ja dhe PZAP-i, fajtorë për zvarritjen e certifikimit të rezultateve

Janë bërë gati dy muaj nga mbajtja e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare, por certifikimi i rezultateve akoma nuk ka ndodhur.

Njohësit e çështjeve politike fajësojnë KQZ-në dhe PZAP-in për këtë zvarritje.

Në anën tjetër, të dyja këto institucione për gazetën kanë mohuar se janë fajtore për prolongimin e procesit zgjedhor.

Ndonëse janë bërë gati dy muaj nga mbajtja e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare në Kosovë, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve akoma nuk ka bërë certifikimin e rezultateve.

Mirëpo KQZ-ja thotë se nuk është fajtor për zvarritjen që i është bërë procesit zgjedhor.

Sipas zyrtarëve të këtij institucioni, KQZ-ja është detyruar t’i zbatojë urdhrat e Panelit Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP) për rinumërime pas ankesave të partive politike.

Ndërkohë, zyrtarë të PZAP-it për gazetën “Zëri” kanë thënë se vendimi i tyre për t’i përmirësuar të gjitha gabimet eventuale nuk e prolongon procesin zgjedhor.

Në anën tjetër, njohësit e çështjeve politike thonë se si KQZ-ja, ashtu edhe PZAP-i janë fajtorë pse ende nuk kemi rezultate të certifikuara. Ata thonë se KQZ-ja është dashur të kërkojë rinumërim të tërësishëm të vendvotimeve në Kosovë atëherë kur është parë se ka gabime në fletëvotime.