Kosova së shpejti me ligj për sanksionimin e mohimit të krimeve të luftës

Zëvendëskryeministri i Kosovës, Enver Hoxhaj në mbledhjen e sotme të Qeverisë ka propozuar që Qeveria ta krijojë një ligj për dënimin e mohimit të krimeve të luftës në Kosovë. Ky propozim është miratuar nga kabineti qeveritar.

“Diskursi i përdorur nga politikanë të Listës Serbe për viktimat e luftës në Kosovë, duke bërë përpjekje ta fshehin të vërtetën dhe duke i mohuar krimet që Serbia ka kryer kundër popullatës civile në Kosovë, është i papranueshëm. Rasti i ish-ministrit Teodosijevic nuk është i pari. Kemi pasur raste ndër vite kur një gjë e tillë ka ndodhur nga vetë pjesëtarë të Qeverisë nga radhët e Listës Serbe, deklarata këto të cilat më pas janë mbështetur nga presidenti serb, Aleksandër Vuçiq dhe pjesëtarë të tjerë të qeverisë së Serbisë. Deklarata dhe përpjekje të tilla janë të patolerueshme”, ka thënë Hoxhaj në fjalën e tij në mbledhjen e Qeverisë.