Kontrata që mund t’i qojë në burg dy ish-sekretarë (VIDEO)

Një kontratë e nënshkruar mes Ministrisë së Infrastrukturës dhe Sylë Morinës për shfrytëzimin afatgjatë me qira të pasurisë së paluajtshme, e nënshkruar në vitin 2010 dhe e vazhduar në vitin 2016 për 5 vite të tjera, ka bërë që të ngrihet Kallëzim Penal ndaj ish sekretarit të kësaj ministrie, Mustafa Gara.

Sipas Policisë së Kosovës, në një përgjigje elektronike për Tribuna Channel, hetimet në lidhje me këtë rast kanë filluar në vitin 2017.

Tribuna Channel ka kontaktuar edhe me Zyrën e Prokurorit të Përgjithshëm, ku sipas Lindita Mehmetit, Administratore në ZKPSH, Prokuroria Themelore në Prishtinë – Departamenti i Krimeve të Rënda, më datë 07.05.2018 ka filluar hetimet ndaj të dyshuarit Mustafa Gara, ish Sekretar i Përgjithshëm në MTPT, në drejtim te veprës penale Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar nga neni 422, paragrafi 1 i KPRK-ës.

Për Tribuna Channel, ajo shtoi se “Në këtë fazë nuk mund të jepet asnjë informacion sepse rasti është nën hetime dhe se çdo informacion mund ta prishë rrjedhën normale të hetimit.”

E njëjta kontratë është nënshkruar në vitin 2010 nga ish-Sekretari Skënder Gashi dhe e njëjta është vazhduar në vitin 2016 nga ish-Sekretari Mustafa Gara, por me kushte të reja dhe ndryshim sipërfaqe dhe pa formim të një komisioni siç parashihet në Udhëzimin Administrativ (MI) Nr. 09/2015 për dhënien e tokës me qira.

MI, në cilësinë e qiradhënësit, i kishte lejuar Sylë Morinës, në cilësinë e qiramarrësit që të vendoste një objekt të përkohshëm me sipërfaqe jo më të madhe se 150 metra katror.

Por, në këtë rast, qiramarrësi nuk ka respektuar kontratën, pasi toka e marrë në shfrytëzim për një periudhë 5 vjeçare nuk po shfrytëzohet për qëllimin të cilin është marrë pasi që i njëjti kishte objektin e përfunduar qysh para vazhdimit të kontratës.

Qiramarrësit në vitin 2010 ju kishte mundësuar që ta marr kontratën pa bërë pagesën e qiras edhe pse kishte shfrytëzuar tokën për 5 vite por atë e kishte bërë vetëm pas vazhdimit te kontratës në vitin 2016.