Komuna e Pejës shpall “Qytetar Nderi” Mark Krasniqin, Ehat Musën e Viktor Gashin

Akademik Mark Krasniqi, prej së enjtes ka marrë edhe një tjetër titull. Bashkë me dy personalitete të tjera të kulturës e të shkencës, është nderuar me titullin “Qytetar nderi” i Pejës.

Pos tij, Komuna e Pejës ka nderuar edhe kitaristin e famshëm botërisht që vepron jashtë vendit, Ehat Musa, dhe post mortem, studiuesin unik të argjendarisë Viktor Gashi, koleksionist i artefakteve e intelektual në zë.

Akademik Krasniqit mirënjohjen ia dorëzoi kryetari i Komunës së Pejës, Gazmend Muhaxheri, në një ceremoni të mbajtur të enjten në hotelin “Grand” në Prishtinë.

Asambleja Komunale e Pejës për nderimin e këtyre tri personaliteteve kishte marrë vendim në mbledhjen e 30 qershorit. Kitaristi Musa, i cili jeton në Francë dhe ka arritur majat e skenave botërore, nuk ka qenë i pranishëm në ceremoni.

Ismail Husaj, kryesues i Kuvendit Komunal të Pejës, ka thënë se ndihet i nderuar që në emër të qytetarëve pejan po i ndan Krasniqit një mirënjohje shumë të vogël për kontributin e tij të madh për Pejën dhe popullin shqiptar në përgjithësi.

“Të jemi shumë mirënjohës për gjithë punën tuaj që keni bërë ndër vite, jemi shumë mirënjohës për veprën tuaj të madhe. Me kënaqësi shumë të madhe e kemi marrë një vendim të cilin mendojmë se është për njeriun e merituar e të duhur”, ka thënë Husaj.
E pjesa tjetër e ceremonisë modeste në Prishtinë, i ka takuar akademik Krasniqit, i cili ka lexuar tri poezi të tija.

Krasniqi ka thënë se ky vlerësim që i është bërë, e ka një rëndësi të madhe për të.
“Ju falënderoj për këtë mirënjohje se është shumë e çmueshme për mua. Sepse, siç thuhet, guri ka peshën e vet në vendin e vet”, ka thënë ai. Ka folur për fëmijërinë e tij në Pejë, tek ka përmendur edhe bukuritë natyrore të këtij qyteti – Bjeshkët e Nemuna për të cilat thotë se nuk e ka kuptuar asnjëherë pse kanë një emër të tillë. Është ndalur edhe te trashëgimia kulturore e historike, në të cilën fushë shquhet për studimet e tij.

“Peja është vend historik, edhe sot e kësaj dite i ka shenjat e tjetrit. E ka pasur aty Kalanë. Mandej kjo Patriarkana Ortodokse Serbe është historike. Por nuk është e serbëve. Serbët i kanë përvetësuar të gjitha këto kishat e vjetra mesjetare vetëm sepse janë ortodokse”, ka thënë Krasniqi. Ka kujtuar se edhe nga UNESCO-ja mbrohet si vlerë botërore gjoja e serbëve.

“E Ministria jonë e Kulturës s’ka bërë asgjë për demantimin e kësaj. Sepse ajo dhe tjerat janë pasuri e Kosovës”, ka thënë ai.
Krejt në fund, Krasniqi (94) është kthyer të japë një mesazh.
“Jeta pa ideal kombëtar nuk është jetë. Është mashtrim. Dikush kapet me ideologjinë partiake, dikush me fe, por këto janë zero në krahasim me vetëdijen kombëtare”, ka përfunduar ai.