Kompromiset anonime, të rrezikshme (VIDEO)

Bisedimet Kosovë Serbi, që po zhvillohen në Bruksel me ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian, kanë rifilluar ne fund të muajit qershor.

Kjo është faza finale e negociatave dhe pritet të përmbyllet me një marrëveshje përfundimtare mes dy vendeve.

E ajo çka të dy presidentët e dy vendeve po paralajmërojnë është se do të ketë një kompromis nga i cili nuk do të dalin të kënaqur asnjëra palë

Por, asnjëra palë nuk ka treguar se cili mund të jetë ai kompromis.

Megjithatë presidenti Hashim Thaçi ditë më parë pranoi se çështja e demarkacionit mund të hyjë në marrëveshjen finale.

 

“Çështja e kufirit Kosovë-Serbi do të jetë në tavolinë. Tash eja të jemi të gjithë aty ku flitet, aty për kufirin Kosovë-Serbi. Lehtë është me thënë nëse del mirë jam në atë pjesë, nëse nuk del të kritikoj.”-

Presidenti vendit, Hashim Thaçi, duke folur për vazhdimin e dialogut mes Prishtinës dhe Beogradit, deklaroi se rezultati i marrëveshjes me Serbinë mund të sjellin edhe ndryshime kushtetuese.

“Çështja e asociacionit është temë e përfunduar pasi që ekipet profesionale të Kosovës janë duke punuar. Kosova do të plotësoj në tërësi të gjitha obligimet që ka marrë në Bruksel…Marrëveshja do të jetë finale, nëse arrihet. Dhe kjo nënkupton ndryshime dramatik të relacioneve në mes te Kosovës dhe Serbisë. Do të diskutohet për çështjen e  demarkacionit të kufirit Kosovë Serbi. Në fund do të kërkohen edhe ndryshime kushtetuese si në Kosovë edhe në Serbi.”.

Këto paralajmërime të presidentit Thaçi, nuk po i pëlqejnë kryeministrit Haradinaj.

 

“Ajo çka kam kuptuar unë është se çka kuptojmë me demarkim? Nëse flasim për një demarkim standard apo nëse flasim për një demarkim ashtu si po lajmërojnë zyrtarët e Serbisë, prapë është ndarje, me demarkim po nënkuptojnë ndarje”, ka thënë Haradinaj.

E në anën tjetër edhe presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq, po thotë se Serbia është e gatshme për kompromise dhe lëshime.

Mirëpo, sipas tij, vullnet për një gjë të tillë, duhet të ketë edhe pala kosovare.

E ky nuk po tregon se për çfarë kompromisi bëhet fjalë.

“Ne duam që të arrijmë një kompromis. Por, sesa do të kemi sukses në këtë aspekt, kjo varet jo vetëm nga njëra palë, sepse kompromisi kërkon konsensusin e të paktën dy palëve, e ndonjëherë edhe më shumë palëve.”

E profesori universitar, Fadil Maloku,  thekson se paralajmërimet për një kompromis të dhimbshëm mund të sjellin deri te cenimi i sovranitetit të vendit dhe shton se kjo mund të krijojë destabilizim .

“Çka është kompromisi? Nënkupton cenimin e sovranitetit të mëtutjeshëm të Kosovës do të ketë pasoja të cilat mund të sjellin destabilizim, për shkak se gjithmonë gjinden grupe, njerëzish të  cilët nuk pranojnë. Dmth e kanë një limit të pranimit dhe refuzimit të asaj se ku mund dhe nga mund të shkojnë ingerencat e pushtetit.”, ka thënë Maloku.

Sociologu Maloku debatin se kush duhet të udhëheqë me bisedimet në Bruksel po e konsideron të kotë. Ndërsa është i bindur se nuk mund të arrihet ndonjë marrëveshje mes partive kosovare pa miratimin e faktorit ndërkombëtar.

“Debati është duke u zhvilluar  gabimisht se kush duhet t`i marr kompetencat e kush duhet të udhëheq këtë dialogun final. Kosova është një projekt ndërkombëtar, dhe pa fjalën të ndërkombëtarëve, sidomos të amerikanëve është e pamundur çfarëdo kompromisi apo çfarëdo progresi të shkohet me tutje, nuk mund të bëhet pa fjalën e tyre”, ka thënë ai.

Sipas tij, institucionet relevante dhe partitë politike duhet të shikojnë mundësitë e krijimit të një platforme të bisedimeve. Ngase një gjë të tillë e ka bërë edhe homologu i Thaçit i cili ka marrë miratimin e plotë të shoqërisë civile dhe intelektualeve, opozitës e medias.