KMLDNJ: Gjuha e urrejtjes mes partive politike, e papranueshme

Subjektet politike përgjatë tërë parafushatës zgjedhore nuk i kanë kursyer fyerjet e ofendimet ndaj njëra-tjetrës. Mirëpo në fushatën zgjedhore, e cila nis që nga sot, Bashkimi Evropian, Këshilli për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut e organizata joqeveritare kanë kërkuar nga partitë që të sillen me mirësjellje dhe në përputhje me ligjin gjatë fushatës.

Sot nis zyrtarisht fushata zgjedhore për zgjedhjet e 6 tetorit. Subjektet politike në Kosovë janë shprehur të gatshme të hyjnë në këtë fushatë, ku premtojnë se do t’u përmbahen rregullave dhe ligjit. Mirëpo në parafushatë shumë prej partive politike e shumë prej kandidatëve për deputetë kanë përdorur gjuhë të urrejtjes, kanë ofenduar njëri-tjetrin, madje disa prej tyre edhe janë konfrontuar fizikisht.

Në prag të fillimit të fushatës gjuhë denigruese ka përdorur edhe nënkryetari i LDK-së, njëherësh shef i Shtabit Zgjedhor të kësaj partie, Lutfi Haziri, ndaj kandidatit të Lëvizjes Vetëvendosje për kryeministër. Haziri e ka krahasuar Albin Kurtin me komikun Rowan Atkinson në rolin e Mr. Beanit. “Edhe ky lideri tjetër që është bërë si Mr. Beani ka filluar të qethet e të rruhet, ka hyrë në kravatë, mirë ka bërë, ka filluar t’u ngjajë njerëzve të LDK-së. Nuk mundet dhe nuk ka të drejtë Kurti të thotë që Vjosa duhet të bëhet kryetare e Kuvendit. Ne i kemi thënë ‘Jo’, sepse Vjosa do të bëhet kryeministre, kryetar i Kuvendit bëhet ai që e cakton LDK-ja”, ka thënë Haziri.

Kryetari i Këshillit të Mbrojtjes së Lirive dhe të Drejtave të Njeriut, Behxhet Shala, në një përgjigje për “Zërin” është shprehur se gjuha denigruese e subjekteve politike gjatë fushatës zgjedhore është e papranueshme, ndonëse këtë parafushatë e konsideron më të qetë se ato të herëve të kaluara. “Gjatë kësaj parafushate ka pasur gjuhë denigruese, ka pasur edhe përleshje fizike. Ne e kemi parasysh nivelin e politikës në Kosovë, por fjalori denigrues është një telash i madh. Madje ne e dimë që as në Kuvend nuk përdoren fjalime më ndryshe, pra konsideroj se jemi larg standardeve evropiane e demokratike”, ka deklaruar Shala.

Shala thekson se gjatë kësaj parafushate partitë politike janë duruar të mos japin premtime të parealizueshme, siç ka ndodhur në parafushatat e kaluara. “Megjithatë konsideroj se ka qenë një parafushatë e durueshme edhe në kuptimin e përdorimit të gjuhës, por edhe të dhënies së premtimeve, sepse në fushatat tjera na patën premtuar investime me miliarda e mbi 200 mijë vende të punës. Tash janë më të kujdesshëm”, ka thënë Shala.