Kiçmari: Mosemërimi i ambasadorëve në shtetet e mbetura vakante po e dëmton imazhin e Kosovës

Kosova nuk ka punuar që të krijojë përfaqësues diplomatikë të cilët do t’i qëndrojnë këtij shërbimi dhe si rrjedhojë vazhdimisht po dëmtohet imazhi i vendit duke mos i emëruar ambasadorët në shtetet e mbetura vakante.

Ish-ambasadori Sabri Kiçmari thotë se është tejet i zhgënjyer me mënyrën e udhëheqjes se diplomacisë kosovare, prandaj thotë se nuk mund të qëndronte më gjatë në një sistem pune me të cilin nuk pajtohet.

“Në qoftë se e shihni sa ambasadorë kanë mbetur tani nga numri i 10 të parëve që kanë shkuar, efektivisht janë vetëm dy ambasadorë. Pra nuk është punuar që të krijohet një masë e caktuar përfaqësuesish të cilët do t’i qëndrojnë gjatë shërbimit diplomatik duke mos i sjell në situata zhgënjimi. Nuk ka një plan dhe rregull që i përmbahen. Shihni seç ndodhi me misionin e Amerikës në Kosovë, dy tri javë pasi që shkoi ambasadori, erdh ambasadori tjetër dhe filloi punën, kështu sillen shtetet e përgjegjshme. Nuk lihet vendi pa ambasador”, ka thënë ai. “Jam i zhgënjyer, thellësisht i zhgënjyer se si udhëhiqet politika e jashtme, personeli, mënyrën se si dërgohen dhe tërhiqen nga postet e tyre”.

“Hapja e temës së kufijve nga Thaçi ka ndikuar edhe në procesin e njohjeve”

Hapja e temës së territorit nga presidenti Hashim Thaci ka bërë që të zhvendoset vëmendjen e shteteve duke bërë që të zbehet fokusi në statusin dhe njohjen e shtetësisë së Kosovës.

Ish-ambasadori i Kosovës, Sabri Kiçmari, ka bërë të ditur në Rubikon të KTV-së se me shqetësim po shihet në rrafshin ndërkombëtar trajtimi i temës së territorit nga presidenti Thaci.

“Jam sfiduar disa herë, edhe në vizitën e fundit në Zelandë dhe shumica e aktorëve ndërkombëtarë e marrin me shqetësim këtë gjë, faktin që presidenti po flet për territore”, ka thënë ai.

Pacolli, arsyeja pse Kiçmari u tërhoq nga shërbimi diplomatik

Udhëheqja e ministrisë së Jashtme nga kryediplomati, Behgjet Pacolli, u bë arsyeja që Sabri Kicmari, ish-ambasador i Kosovës dhe pjesë aktive e diplomacisë që nga formimi i institucioneve të Kosovës, të tërhiqet nga shërbimi diplomatik.

Kiçmari, për herë të parë në Rubikon të KTV-së, erdhi me rrëfimin prej brenda duke shpalosur dështimet dhe ngecjet e politikës së jashtme.

Sipas tij, Pacolli është në një post të cilin, siç thotë ai, “thjesht nuk e kupton”.

“Mënyra se si ministri i Jashtëm e udhëheq këtë ministri nuk është as profesionale e as e dobishme. Ai nuk e dallon biznesin nga politika e jashtme, thjeshtë nuk e kupton, ai është në një fushë të cilën nuk e kupton. Por ka qe një vit e sa që s’kemi njohje dhe ku është ky pompozitet i tij sa ishte në opozitë. Ai na mbyti me informacione gjatë asaj kohë se do të bëj namin po të ketë kompetenca të plota dhe sot i ka, ku është rezultati”, ka deklaruar Kiçmari.

Sipas tij, Pacolli mori primatin për njohjet për të cilat s’kishte fare dijeni.

Kiçmari: MPJ të merret me diplomaci, jo me biznes

Sipas Sabri Kiçmarit, ish-ambasadori i Kosovës në Austri e Australi, Kosova aktualisht po përjeton krizën më të madhe të diplomacisë, prej trendit të njohjeve dhe anëtarësimeve te një spirale e tërheqjes së njohjeve dhe dështimeve në anëtarësime.

Ai tha se presidenti i vendit, të cilin Kushtetuta e obligon që të udhëheqë politikën e Jashtme, bashkë me ministrin e Jashtëm duhet të takohen dhe të gjejnë një zgjidhje.

Kiçmari u bëri thirrje publikisht që në asnjë mënyrë mos të përdorin forma biznesi, duke lënë të kuptohet që forma të tilla mund të jenë përdorur më herët nga ministria e Jashtme.

“Duhet të gjejnë forma të reagimit duke mos përdorur forma të biznesit në veprim, pra, kjo i bie që nuk ia preferoj ministrisë tonë të Jashtme, që të ofrojë dhurata për të ndryshuar qëndrimin e shteteve. Me shtete duhet të bisedohet seriozisht mbi baza partneriteti, bashkëpunimi, por jo premtime që nuk mbahen sepse e dëmtojnë seriozisht politikën e jashtme”, ka thënë ai në Rubikon të KTV-së.

Kiçmari thotë se në Fixhi ishte pyetur pse Hoxhaj s’i mban premtimet

Ish ministri i Jashtëm, Enver Hoxhaj, aktualisht zëvendëskryeministër në qeverinë Haradinaj po cilësohet si person që vetëm thotë “po”, por nuk i mban premtimet.

Diplomati Sabri Kiçmari ka thënë në Rubikon të KTV-së se kur kishte shkuar në Fixhi për të kërkuar mbështetjen për UNESCO, ai u përball me pyetjen: “Ku është premtimi i ministrit Hoxhaj?”

Kicmari thotë se Hoxhaj iu kishte premtuar mbështetje në arsim mirëpo nuk e kishte bërë asnjëherë atë.

“Premtime të pamenduara mirë dhe gjëra të tilla kanë ndodhur dhe e kanë dëmtuar shumë statusin dhe raportin tonë me shtete të tjera. Ministri Hoxhaj gjatë vizitës së tij premton se do të jetë i angazhuar për të ndihmuar në fushën e arsimit dhe pas kësaj nuk bën asgjë tjetër dhe çka më ndodhi mua, kur isha atje për lobim të UNESCO-s, u sfidova me pyetjen ‘Ku është premtimi i ministrit Hoxhaj?’”.

Ish-ambasadori Kiçmari thotë se MPJ-ja po e mashtron opinionin për njohjet

Ministria e Jashtme e Kosovës po e mashtron opinionin publik në situatën e krijuar me njohjet e shtetësisë së Kosovës, sipas ish-ambasadorit Sabri Kiçmari.

Kiçmari që dikur shërbeu në Austri e më pas në Australi ka thënë se gjendja është serioze dhe pesha e saj nuk po përcillet siç duhet nga ministria e Jashtme duke shkaktuar dëme të mëtutjeshme.

“Ministria e Jashtme duhet ta kuptojë rëndësinë e një procesi të tillë dhe t’ia kumtojë opinionit publik që një çështje e tillë është shumë e rëndësishme për statusin e Kosovës”, ka thënë ai në Rubikon të KTV-së.

Kiçmari ka bërë të ditur se ishte ai që kishte nënshkruar marrëveshje bashkëpunimi me Ishujt Solomon dhe deri para 5 muajsh, kur ai ishte në këtë detyrë, marrëdhëniet ishin shumë të mira mirëpo nuk e kupton se çka po ndodh tutje.

Ai tha se në këtë situatë duhet të ketë deklarata serioze nga zyrtarët e ministrisë së Jashtme e jo të tilla që shfaqin mungesën e seriozitetit karshi gjendjes së krijuar.

“Akti i njohjes së një shteti është akt politik, pra është deklarim i një shteti. E njëjta gjë është për aktin e tërheqjes, është akt politik. Kjo nuk e vë në dyshim ekzistencën e shtetit të Kosovës por raportet ndërshtetërore me atë shtet që bën një deklarim të tillë politik”, ka thënë ai.