Këto janë rregullat për të gjithë ata që hyjnë në Kosovë nga nesër

Nga nesër Kosova do të hapë kufijtë tokësor me Shqipërinë, Malin e Zi, Serbinë dhe Maqedoninë e Veriut.

Qeveria në detyrë e Kosovës ka bërë të ditur se që nga nesër do të hapen kufijtë tokësor me Shqipërinë, Malin e Zi, Serbinë dhe Maqedoninë e Veriut.

Kjo u vendos në mbledhjen e mbajtur nga qeveria në detyrë.

Mirëpo, ministri në detyrë i Shëndetësisë, Arben Vitia, ka bërë të ditur se të gjithë ata që hyjnë në Kosovë, duhet t’i nënshtrohen disa rregullave dhe procedurave shëndetësore.

Vitia ka bërë të ditur se të gjithë ata që bëjën test dhe që dëshmojnë se nuk janë të prekur me koronavirus, nuk do të vetizolohen mirëpo, sipas tij, të gjithë ata që kanë simptoma do të vetizolohen për një javë.

Sipas Vitisë, personat që dëshmojnë se nuk janë të prekur me koronavirus, testi nuk duhet të jetë më i vjetër se katër ditë.

“Nesër hapen kufijtë tokësor, por jo të gjithë. Nga nesër do të hapen kufijtë në Mendare, Vërmicë, Kullë, Hani i Elezit, Jarinjë dhe Dheu i Bardhë. Të gjithë personat që hyjnë në Kosovë obligohen që ti nënshtrohen kontrolleve të ekipeve mjekësore të QKMF-ve dhe ti zbatojnë të gjitha masat e IKSHPK-së. Të gjithë ata që hyjnë në Kosovë dhe jo më shumë se katër ditë dalin negativ me koronavirus nuk do të detyrohen që të hyjnë në vetizolim, por të gjithë ata që kanë simptoma do të vetizolohen për një javë”, ka sqaruar Vitia.