Këshilltari i Thaçit e pyet Kurtin pas deklaratave të Borellit: Ku i keni fshehur “thikat dhe hartat”?

Këshilltari politik i presidentit Thaçi, Adil Behramaj, pas deklaratave të kryediplomatit të BE-së, Josep Borellit, ku indirekt promovohej ideja e korrigjimit të kufijve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, ka thënë se Kurti duhet të na tregojë tash se ku i kanë fshehur “thikat dhe hartat”?

Duke ironizuar me Kurtin, Behramaj ka thënë se me gjasë “thikat” i kanë fshehur në Spanjë e Sllovaki dhe “hartat” mënjanë diku në Bruksel.

Më herët, kryeministri Kurti kishte thënë se nuk ka dashur të shkojë në Shtëpinë e Bardhë për të negociuar për marrëveshjen ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, pasi që atje i prisnin me “thika mbi harta”.

“Kryediplomati i BE-së, Josep Borell, ishte përfolur gjithmonë si “kumbara” i krijimit të kësaj Qeverie. Kurti ishte prishur me Amerikën për Borellin. Edhe tarifën 100 për qind e hoqi në koordinim me të dhe jo me Amerikën. Më shumë i besonte Borellit dhe emisarit të tij sesa amerikanëve për dialogun në mes Kosovës dhe Serbisë. Anonte nga Borelli sa herë që përmendej Grenelli. Injoronte Uashingtonin sa herë që përmendej Brukseli. Në Shtëpinë e Bardhë, sipas Kurtit, na prisnin me “thika mbi harta”.

Por, i ashtuquajturi “kumbara” i kësaj Qeverie, miku i Kurtit, tash vetë po e promovon idenë e korrigjimit të kufijve.

Dhe, Kurti duhet të na tregojë se ku i kanë fshehur “thikat dhe hartat”? Me gjasë “thikat” i kanë fshehur në Spanjë e Sllovaki dhe “hartat” mënjanë diku në Bruksel!”, ka shkruar Behramaj.