KEK-u rrugës së “Iber Lepencit”, shpërndan pagën e 13-të dhe ndan benefite (VIDEO)

Më 6 prill u mor vendimi për ngritjen e pagave të punëtorëve të Korporatës Energjetike të Kosovës, në vlerë prej 100 eurove.

Ngritje kjo që ishte premtuar edhe nga Kryeministri, Ramush Haradinaj, raporton Tribuna Channel.

Mirëpo sikur kjo nuk mjaftoi. KEK-u ka shpërndarë edhe rrogën e 13-të për menaxhmentin dhe Bordin, si dhe bonuse të ndryshme për stafin e kësaj ndërmarrje publike, ani pse rroga mesatare është 800 euro.

Ministri i Zhvillimit Ekonomik, Valdrin Lluka nuk ka vepruar njësojë sikur me ndërmarrjen e “Ibër lepencit” për shkarkimin e bordit për rritje të pagave.

Thotë se nëse Bordi i KEK-ut ka dëmtuar këtë ndërmarrje energjetike me këtë vendim, do të merren masa edhe ndaj këtij bordi.

“Është Bordi i cili merret me KEK, dhe në fund vlerësohet performanca e Bordit, nëse Bordi ka vendosur gabimisht me rritje të pagave dhe e ka dëmtuar performancën e KEK-ut, atëherë si rezultat edhe duhet të merren masa ndaj atij bordi”.

E në gjendje aspak më të mirë nuk është as ndërmarrja publike, Ibër-Lepenci, pasi ditë më parë u shkarkuan katër anëtarë të bordit drejtues të kësaj ndërmarrjeje.
Ministri Lluka e arsyetoi këtë vendim për shkelje të ligjit për pagat.

“Në rastin e ‘Iber lepencit’, bordi e ka aprovuar një vendim për shpërndarje të bonusit për anëtarë të bordit, si dhe rrogën e 13-të për të gjithë punëtorët e ndërmarrjes. Rroga mesatare në Iberlepencë është diku 900 euro, pranoj, është një impakt buxhetor shumë i madh”.

E lidhur me këtë çështje ditë më parë, TribunaChannel, përmes një kronike televizive solli edhe dokumente të cilët vërtetojnë se Bordi përveç kexhmenaxhimit dhe keqpërdorimit të parasë publike, kishte bërë edhe shkelje duke futur në listë për Kryeshef të kësaj ndërmarrjeje kandidatë të cilët nuk janë adekuat për pozitën që kanë konkurruar

Shekip Fazliu, Qerim Halilaj dhe Bislim Zogaj, janë tre kandidatë për të cilët Komisioni kishte konstatuar se nuk i plotësojnë kushtet për të qenë Kryeshef të Ibër Lepencit.

I njëjti bord në listë kishte futur edhe vëllaun e kryetarit të Podujevës, Sami Veliun, të cilin e ka shkarkuar qeveria në mbledhjen e fundit.

Kryetari i këtij komisioni, Osman Kozmaqi i kontaktuar nga Tribuna Channel nuk ka dashur të komentojë zhvillimet e fundit në ndërmarrje, me arsyetimin se nuk është i autorizuar, ani pse është kryetar i komisionit.

Përzgjedhja e Kryeshefit të kësaj ndërmarrje është bërë edhe mollë sherri mes partnerëve të koalicionit.

Në mbledhjen e qeverisë ku u shkarkuar ky bord për shkak dhënies së bonuseve edhe përkundër performancës negative dhe për shkak të shkeljeve ligjore, kishte reaguar zëvendëskryeminstri nga PDK-ja, Enver Hoxhaj i cili kishte kundërshtuar shkarkimin e tyre dhe kishte abstenuar kur ishte votuar shkarkimi i tyre./GazetaTribuna