Jacobson: Votojeni Gjykatën Speciale, ose e humbni përkrahjen e ShBA-së

Ambasadorja amerikane në Kosovë, Tracey Ann Jacobson, ka përdorur gjuhë të prerë në emisionin “Rubikon”, duke ua kujtuar deputetëve se nëse nuk e votojnë Gjykatën Speciale, Kosova do të pësojë, pasi Këshilli i Sigurimit mund ta krijojë një tribunal për të.

Jacobson ka potencuar se në këtë rast shteti i saj do të jetë i pafuqishëm për të bllokuar iniciativën e kahershme të Rusisë për këtë çështje, e që, sipas saj, do të jetë edhe politikisht më e rrezikshme për Kosovën. Ajo ka lutur deputetët që të votojnë amendamentet dhe ligjin sa më parë, pasi Kosova nuk do ta ketë më mbështetjen e SHBA-së, raporton KTV.

Jacobson ka shprehur bindjen e saj se deputetët serbë do të kthehen në Kuvend pas javës së ardhshme, konkretisht pas takimit të dy kryeministrave në Bruksel.

Ambasadorja amerikane ka shprehur shqetësimin e saj për protestën e së shtunës, të thirrur nga opozita, duke u kërkuar protestuesve që të kenë kujdes imazhin e Kosovës.

Duke mos dashur të mbrojë policinë, e as të mbajë anë, Jacobson ka thënë se ka pasur gabime edhe nga policia, por sipas saj, ai që hedh gurin i pari është përgjegjësi kryesor.