Ja se çfarë e quan Isa Mustafën, Donika Kadaj-Bujupi e AAK-së (Video)

Deputetja Donika Kadaj-Bujupi nga AAK-ja, e ftuar në emisionin politiko-satirik ‘Rrokum Roll’ me Fidan Jupollin, në Televizionin Rrokum, ka theksuar se prej vitit 2007 Hashim Thaçi ka vepruar në kundërshtim me politikat dhe resurset energjetike të Kosovës.

Kurse kryeministrin Mustafa e ka quajtur zëdhënës të SHIK-ut. Ajo ka theksuar se kemi mbërri në një situatë kur shteti tashmë është i kapur në të gjithë sektorët e jetës.

Kadaj-Bujupi për kryeministrin Isa Mustafa ka thënë se është bërë zëdhënës SHIK-ut, duke e mbrojtur dhe bashkëpunuar me këtë strukturë.

Sipas saj, peticioni i qytetarëve prej 30 mijë nënshkrimeve për çmimin e rrymës është dashur të futet në rend të ditës në Kuvend.

Deputetja e AAK-së tha se opozita ka braktisur sot seancën e Kuvendit për shkak se ka pasur arrogancë dhe nuk ju është lejuar ta fusin çmimin e energjisë në rend dite, duke shtuar se Kuvendi tashmë po punon vetëm për një klikë me interesa të caktuara.

Derisa për Thaçin ka thanë se ai po e tregon fobinë ndaj protestës, por ajo i ka treguar atij se ka ardhur në pushtet në një rast fatkeqësie siç ishte vdekja e Rugovës dhe dorëzimi i Haradinajt në Hagë.

Kadaj tha se periudha prej 2007-2015 janë vite të degradimit, që të gjithë madje i kanë përjetuar.

Kurse për protestat ajo ka theksuar se nuk do të ndalen, duke thënë se janë duke kërkuar diçka shumë specifike siç është ulja e çmimit të rrymës e deri të ç’kapja e RTK-së.