Isufi: Haradinaj kandidat për kryeministër, ndoshta garojmë me Nismën e PSD-në

Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), nuk do të jetë pjesë e një qeverie të mundshme teknike.

Nënkryetari i AAK-së, Ahmet Isufi, në një intervistë për EkonomiaOnline, ka thënë se janë pajtuar të shkojnë në zgjedhje të reja, ndërsa ka thënë se preferojnë një koalicion parazgjedhor me partitë më të vogla, si Nismën Socialdemokrate dhe PSD-në.

Ai, po ashtu, ka thënë se Ramush Haradinaj është kandidat i pakontestueshëm për kryeministër.

“Fillimisht në kemi thënë që do të dalim si subjekt i veçantë, por nëse ka nevojë që të bëhen koalicione atëherë shkojmë me partitë me të cilat kemi pasur një traditë të angazhimit tonë të përbashkët siç është NISMA poashtu edhe me PSD-në për shkak të konstruktivitetit që ka treguar në këto angazhime, sidomos me aprovimin e ligjeve të rëndësishme të cilat kanë qenë për Kosovën po ashtu edhe ndonjë parti tjetër e cila mund të jetë pjesë e angazhimit, por kjo do të shihet në ditët në vijim se cilat janë orientimet e partive tjera të cilat duan ti bashkohen Aleancës. Nuk kemi vija të kuqe me asnjë parti, por që kemi me dikën afrim më shumë e me dikë kemi distancë”.

“Unë besoj që të gjitha partitë politike janë bindur se kryeministër, i cili mbron interesat e Kosovës, është i vendosur në vendimet të cilat e favorizojnë shtetin e forcojnë është kryeministri Ramush Haradinaj, prandaj asnjë drejtim as një dilemë nuk ekziston, sepse megjithatë gjatë qeverisjes 2 vjeçare ka treguar që është burrështetas i cili merr vendime të rëndësishme dhe vihet në kundërshtim të atyre interesave të cilat mund ta dobësojnë Kosovën, prandaj me qëndrimin e tij zotëri Haradinaj ka garantuar një ecje përpara edhe të tjerët janë bindur që nuk ka kryeministër më të mirë se Haradinaj”, tha Isufi.