Ilir Meta për Cakajn: Ministria e Jashtme s’është autoshkollë për ndryshimin e kufijve në Ballkan

Ilir Meta, President i Shqipërisë, ka shkuar edhe më tej në kundërshtimin që i ka bërë Gent Cakajt për Ministër të Punëve të Jashtme. Ka thënë se Ministria me e rëndësishme në Shqipëri nuk mund të kthehet në autoshkollë ku shefi mëson ‘gjeniun’ se si të ndryshohen kufijtë e Ballkanit.
“Sot, në momente të rëndësishme të sfidave tona rajonale, Ministria për Europën dhe Punët e Jashtme e Shqipërisë nuk mund të kthehet në autoshkollë ???? ku ustai i madh kërkon të mësojë “gjeniun” si të ndryshojë kufijtë e të gjithë Ballkanit Perëndimor”, ka shkruar Meta, në një reagim në FB.

Reagimi i Presidentit të Shqipërisë ka ardhur pasi ka refuzuar të dekretojë kosovarin Cakaj si kryediplomat për shkak se ky i fundit kishte thënë se çështja e kufijve në Ballkan ka evoluuar dhe i njëjti proces do të ecë më tutje.

Meta ka thënë se Partia e Edi Ramës ka plot njerëz të tjerë për Ministër të Jashtëm, të cilët i ruajnë kufijtë e shteteve të shqiptarëve.

“Partia Socialiste ka kapacitete të jashtëzakonshme në fushën e politikës së jashtme dhe Shqipëria ka shumë diplomatë të sprovuar, të cilët mund të vendosen në drejtimin e politikës sonë të jashtme, pa kaluar nga autoshkolla ???? e ndryshimit të kufijve në gjithë Ballkanin Perëndimor”, ka shtuar ai.

Gent Cakaj, një i ri nga Kosova, që ka punuar si Këshilltar i Edi Ramës dhe më vonë si Zëvendësministër i Punëve të Jashtme ishte refuzuar nga Meta si Kryediplomat i Shqipërisë. Arsye ishte përmendur se nuk ka certifikatë të sigurisë, të cilën pastaj e ka marrë për 24 orë. Arsye tjetër që s’është dekretuar Cakaj për Ministër, Meta e ka përmendur edhe idetë e kosovarit pro ndryshimit të kufijve në Ballkan.

Në Kosovë ka pasur reagime pro dhe kundër këtij veprimi.

Baton Haxhiu e ka përjetuar më së rëndi mosdekretimin e Cakajt për Kryediplomat.

Njëjtë ka reaguar edhe Edi Rama, i cili e ka akuzuar Metën se ka dalë kundër kosovarëve.

Në Kosovë, PDK e ka përkrahur Cakajn, ndërsa, Vetëvendosje e ka përkrahur vendimin e Presidentit Meta.