Hyseni takon admiralin Ferguson,vlerësohet bashkëpunimi i Policisë me KFOR-in

Ministri i Punëve të Brendshme, Skender Hyseni, ka pritur në takim komandantin e Komandës së Forcave të Përbashkëta të NATO-s në Napoli, admiralin Mark Ferguson.

Në këtë takim u diskutua lidhur me çështjen e sigurisë për qytetarët e Republikës së Kosovës dhe sundimin e rendit dhe ligjit.

Ministri Hyseni ka njoftuar admiralin Ferguson, për të arriturat dhe proceset nëpër të cilat është duka kaluar kjo Ministri.

Ndërsa, admirali Ferguson shprehu gatishmërinë dhe angazhimin e tij për të përkrahur MPB-në në rrugën e saj të zhvillimit.

Ministri Hyseni dhe admirali Ferguson, biseduan po ashtu për çështjet e bashkëpunimit ndërkufitar me vendet fqinje si dhe progresin që Kosova ka bërë në luftimin e krimit të organizuar, korrupsionit si dhe ekstremizmit të dhunshëm e terrorizmit.

Ministri Hyseni dhe admirali Ferguson vlerësuan lartë shkallën e bashkëpunimit në mes të Policisë së Kosovës dhe KFOR-it.