Hoxha merr përkrahje nga Luksemburgu për liberalizimin e vizave

Ministrja e Integrimit Evropian, Dhurata Hoxha, është takuar me ministrin e jashtëm dhe Çështjet Evropiane të Dukatës së Madhe të Luksemburgut, Jean Asselborn.

Hoxha me diplomatin luksemburgas  diskutoi për bashkëpunimin e deritashëm të shkëlqyer, integrimin në organizatat ndërkombëtare si dhe projektet që ndihmojnë procesin integrues si dhe liberalizimin e vizave.

“Përkrahja që ka ardhur për Republikën e Kosovës nga Dukata e Madhe e Luksemburgut, me theks në diplomaci, fuqizimin e shtetësisë dhe realizimin e procesit integrues, është tejet e rëndësishme për Kosovën”, tha  Hoxha.

Ministri Asselborn e siguroi ministren se Luksemburgu, do të ofroj mbështetje të fuqishme për Kosovën për integrimin në organizatat ndërkombëtare si dhe përkrahjen e realizimit të projekteve të domosdoshme për procesin integrues.

Hoxha theksoi edhe rëndësinë e përkrahjes së Luksemburgut në organizatat ndërkombëtare si dhe vota e këtij shteti mik, në institucionet ku kërkohet integrimi në to, duke theksuar se projektet e mbështetura nga Luksemburgu i kontribuojnë procesit integrues si dhe ngritjes së mirëqenies së qytetarëve të Kosovës.