Hoti prezanton prioritetet e qeverisë së re – përmend edhe raportet me SHBA-të

I propozuari për kryeministër nga radhët e LDK-së, Avdullah Hoti, në seancën e sotme të Kuvendit ka shpalosur disa nga qëllimet kryesore të qeverisë që ai synon ta udhëheq.

Ai ka thënë se qeveria që ai synon ta udhëheq, synon ta mbrojë rendin demokratik, dhe lirinë e shprehjes pa linçime.

Hoti tha se askush nuk guxon ta cënoj konsensusin e 17 shkurtit, kur edhe u shpall pavarësia e Kosovës.

“Kur kemi pranuar këtë sfidë jo të lehtë, jemi nisur nga nevoja për të mbrojtur rendin demokratik, lirinë e të shprehurit pa linçime. Jemi nisur nga nevoja që kanë qytetarët e Kosovës për siguri, dhe jo konfrontime institucionale. Jemi nisur nga interesat për të ruajtur miqësitë me dekada, pa të cilat vështirë të mendohet zhvillimi. Ne jemi një komb që i duhet një qeveri që i shërben, dhe jo anasjelltas. Qeveria nuk do të ketë asnjë fuqi tjetër përpos asaj që buron nga Kushtetuta. Konsesusi i 17 shkurtit nuk guxohet të cënohet nga askush, që deformojnë përfaqësimin demokratik. Kjo qeveri do ta mbrojë sovranitetin e vendit. Kjo qeveri do të jetë promovuese e nevojës për promovimin e forcës dhe guximit tonë si shoqëri”, tha ai.

Ai po ashtu tha se sistemi ekonomik dhe shëndetësor i Kosovës është vënë në sfidë të vështirë nga virusi.

“Besimi që më është dhënë është një akt i guximshëm i vetëdijës së lartë politike. Unë ndjej përgjegjësi ndaj qytetarëve dhe Kushtetutës ndaj përgjegjësive që na presin. I gjithë sistemi shëndetësor i Kosovës dhe ai ekonomik është vënë në sfidë nga virusi. E them me krenari që pavarësisht se jemi shtet i ri, si shoqëri kemi treguar forcë për të reaguar me fisnikëri ndaj atyre që janë në nevojë”, tha Hoti.

Në këtë kuadër, siç tha Hoti qeveria e tij do të ketë dy prioritete të menjëhershme.

“Qeveria do të ketë dy prioritete të mënjershme: Lufta kundër COVID-19 dhe rimëkëmbja ekonomike. Krahas këtyre, do të jenë edhe forcimi i shtetit, avancimi i Demokracisë, luftimi i korrupsionit, rritja e punësimit, zhvillimi i tregut të lirë, marrjen e përgjegjësive për dialogun në bashkëpunim me BE-në dhe SHBA-të”, tha Hoti