Haskuka reagon pasi një zyrtari komunal në Prizren i caktohet një muaj paraburgim

Kreu i komunës së Prizrenit, Mytaher Haskuka, ka reaguar pasi, gjykata ka caktuar masën e Paraburgimit në kohëzgjatje prej një muaji, ndaj të pandehurit Arben Krasniqi dhe një personi tjetër me iniciale SH.K nga Prizreni, për shkak të dyshimit të bazuar se kanë kryer veprën penale keqpërdorim i detyrës apo autoritetit zyrtar.

Hasakuka, i cili ka folur për Krasniqin, ka thënë se nuk e di cilat janë arsyet pse është ndërmarrë një masë e tillë ndaj Krasniqit.

“Kur në janar të vitit 2018 kemi marrë qeverisjen komunale, njëra nga problemet e shumta që kemi trashëguar ishin paditë ndaj Komunës në gjykata dhe përfaqësimi ligjor i Komunës. Komuna e Prizrenit ka pasur rreth 3700 raste nëpër gjykata. Gjatë kësaj periudhe, katër përfaqësues ligjorë kanë dhënë dorëheqës si pasojë e ngarkesës me lëndë dhe në disa raste edhe të kërcënimeve ndaj zyrtarëve”, thotë kreu i Prizrenit.

Ai thotë se Krasniqi është një zyrtar i cili ka bashkëpunuar me hetuesin dhe çdo ditë ka rreth 5 deri 8 raste të përfaqësimit ligjor nëpër seanca gjyqësore, andaj thotë se masa prej 30 ditësh paraburgim është masë e cila e bën atë të mendoj.

“Nga korriku i vitit 2018, Arben Krasniqi ka pranuar përgjegjësi në Zyrën e Përfaqësuesit Ligjor dhe ka përfaqësuar komunën në shumë raste, në këtë aspekt në bazë të raportit të viti 2019, zyra ligjore ka ndërmarr 2222 veprime lidhur me përfaqësimin ligjor të Komunës së Prizrenit, që I bjen rreth 9 aktivitete në ditë. Nga mediat u njoftova që kanë filluar hetimet ndaj Arbenit dhe është shqiptuar masa e paraburgimit 30 ditor. Nuk di cilat janë arsyet, por për një zyrtar I cili ka bashkëpunuar me hetuesin dhe çdo ditë ka rreth 5 deri 8 raste të përfaqësimit ligjor nëpër seanca gjyqësore është masë e cila na bën të mendojmë?” thotë ai.

“Shumë linçime e njollosje pikërisht nga partitë që e kanë katandisur Kosovën dhe e kontrollojnë sistemin… por unë mbes me shpresë për gjyqësor të pavarur dhe që e vërteta të del në shesh sa më shpejtë”, ka shkruar ai në fund./Telegrafi/

Komuna e Prizrenit Mytaher Haskuka