Haradinaj: Jemi të interesuar që Trepçën ta kthejmë në këmbët e veta

Qeveria e Kosovës është e interesuar që Trepçën ta kthejë në këmbët e veta, ngase Trepça ka rëndësi të madhe për Kosovën.

Kështu iu tha sot kryeministri Ramush Haradinaj, anëtarëve të Bordit Mbikëqyrës të “Trepça, Sh. A.”, të kryesuar nga Ardian Syla.

Në këtë takim, kur të pranishëm ishin edhe ministri i Zhvillimit Ekonomik, Valdrin Lluka dhe ajoe Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, Albena Reshitaj, u bisedua për punët që e presin Bordin e ri, për hartimin e statutit të Trepçës, regjistrimin e saj si shoqëri aksionare si dhe për zgjedhjen e bordit menaxhues, për të cilat kryeministri Haradinaj tha se duhet të përfundojnë shumë shpejtë.

Me këtë rast, shefi i ezkekutivit i inkurajoi anëtarët e ri të Bordit Mbikëqyrës që të punojnë si ekip për ta rikthyer Trepçën në funksion të zhvillimit ekonomik dhe për t’ia rikthyer asaj namin e dikurshëm.

Haradinaj tha se i kupton problemet të cilat i presin bordin e ri, për të cilat tha se duhet angazhim të të gjithëve në zgjidhjen dhe tejkalimin e tyre.

Anëtarët e Bordit Mbikëqyrës të “Trepça, Sh. A.”, u pajtuan që të ketë një bashkëpunim edhe në të ardhmen, ndërsa kryeministri theksoi përkushtimin e Qeverinë mbështetjen e mëtejme për Trepçën, transmeton Klan Kosova.