Kryeministri në detyrë i Kosovës, Ramush Haradinaj ka ftuar organet e rendit që të zhvillojnë hetimet dhe të ndërmarrin veprimet e nevojshme për ta zbardhur rastin e ndodhur mbrëmjen e së martës në Zhur të Prizrenit, ku pas një shpërthimi mbeti i vdekur një pjesëtarë i Policisë së Kosovës.

Haradinaj theksoi se është tronditur nga lajmi për humbjen e jetës së tij dhe plagosjen e të tjerëve.

Ai u shprehu ngushëllime fmailjarëve të policit të vrarë dhe uroi që të plagosurit të shërohen sa më shpejt.

 Postimi i plotë i Haradinajt:

‘I tronditur me lajmin për humbjen e jetës së një pjesëtari të Policisë së Kosovës, plagosjen e dy të tjerëve dhe një fëmije nga një shpërthim i një mjeti eksploziv në Zhur të Prizrenit.

Ftoj organet e rendit që të zhvillojnë hetimet dhe të ndërmarrim të gjitha veprimet e nevojshme për ta zbardhur gjithë këtë situatë dhe për të sjellë para drejtësisë, përgjegjësit e këtij akti.

Ngushëllime për familjen e policit që humbi jetën dhe shërim të shpejtë për të plagosurit!”, ka shkruar Haradinaj.

 Ndaj rastit tragjik në Zhur të Prizrenit ka reaguar edhe kryetari i PDK-së, Kadri Veseli, i cili ka thënë se “Askush nuk guxon që të prek djemtë tanë në uniformë, e kushdo që guxon t’i sulmojë sikurse sot, ka për të marrë përgjigjen e fuqishme e të pakompromistë të ligjit”.