Haradinaj ashpërson gjuhën ndaj Kurtit, thotë se ka të kaluar komuniste

Udhëheqësit e koalicionit PSD-AAK kanë takuar të shtunën qytetarët e Komunës se Kamenicës, të cilëve u është kërkuar përkrahje në zgjedhjet e 6 tetorit.

Aty, kandidati për kryeministër i koalicioni AAK-PSD, Ramush Haradinaj tha se do të fokusohen në punët e brendshme të Kosovës dhe zhvillimin ekonomik.

Haradinaj tha se do të përballen me forcimin e shtetit ligjor, por siç tha ai, jo duke bërë hajgare sikur Kadri Veseli me deklaratat për luftim të korrupsionit.

“Kur po flet Albini po thotë kemi koncept ekonomik, besoni ai ka kaluar njëfarë internacionale komuniste, se po do me ja heq edhe taksën Serbisë. Po thotë nuk ka qenë ideja ime taksa, merre me mend njeriu që dilke me i ndal kamionët e fëmijët tonë na i mërdhijke me ndal një kamion, e besa hishin burgjeve, sot po thotë nuk ka qenë ideja ime taksa, edhe po ankohet që u kemi qitë taksë mallrave të Serbisë, çka me i bë, shihni ku ka mbërri. LDK po thotë ne jemi krejt në rregull ne e çkapim shtetin, këtë të LDK-së nuk munden me çkap kurrgjë, se e keni parë që nuk guxonin me u ndi prej Hashimit kurrë hiç, as prej Kadrisë. E kanë qitë Vjosen sa me na i marrë votat edhe njëherë e pastaj dihet qysh vazhdon muhabeti, sepse nuk munden me shumë”, tha Haradinaj.

Para qytetarëve të Kamenicës, Haradinaj tha se gjatë kohës sa ishte në krye të Qeverisë, është fokusuar të mësojë si të bëhet zhvillimi ekonomik.

Ai premtoi se koalicioni “100% Kosovë” do të punojë për rritje të pagës minimale, të sigurojë shtesa për fëmijë dhe të ndërtojë çerdhe. Haradinaj përmendi edhe taksën dhe ushtrinë, ku tha se çështja e ushtrisë, taksës dhe Trepçës nuk ishin realizuar pa besnikërinë. /kp