Hanson: Objektivi final i dialogut Kosovë-Serbi është njohja reciproke, nuk duhet hapur tema të reja

Drejtoresha ekzektuive e organizatës “New Perspektiva”, Joanna Hanson, në një intervistë ekskluzive për Gazetën Express, ka folur rreth zhvillimeve të fundit në dialogun për normalizim të raporteve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. Emërimin e Matthew Palmer në postin e përfaqësuesit special e sheh si lajm të mirë, ndërkohë thotë se pavarësisht se Ndërkombëtarët duan një marrëveshje finale mes dy shteteve, nuk ka afate të caktuara për arritjen e saj. Hanson e cila ma herët ka punuar edhe si hulumtuese në kuadër të Ministrisë së Punëve të Jashtme të Britanisë së Madhe, thotë se ekziston mundësia e arritjes së një marrëveshje përmes prekjes së kufijve, por vendos pikëpyetjen se sa do të ishte një gjë e tillë e pranueshme për Bashkimin Evropian. Në këtë intervistë Hanson ka folur edhe për bërrylat mes SHBA’së dhe Gjermanisë sa i përket dialogut, modelin e “Dy Gjermanive” dhe asaj se si do të mund të dukej finalja eventuale mes Prishtinës dhe Beogradit.

 Gazeta Express: Si e komentoni emërimin e  Matthew Palmer në pozitën e Përfaqësuesit Special të SHBA’së për Ballkanin, dhe a e shihni këtë si sinjal se Washingtoni dëshiron të zgjidh problemin mes Kosovës dhe Serbisë deri në verën e vitit 2020?

Joanna Hanson: Është gjë e mirë të shohim se Shtetet e Bashkuara po i japin çështjes së Kosovës një vëmendje specifike përmes emërimit të Matthew Palmer-it. Shtetet e Bashkuara kanë punuar ngushtë me BE-në për dialogun. Ndonëse kohëve të fundit politika e Shteteve të Bashkuara është bërë më e dukshme, nuk ka qenë gjithmonë e qartë nëse ajo e reflekton mendimin amerikan. Ndërkombëtarët në përgjithësi do të donin të shihnin një zgjidhje të marrëdhënieve Kosovë-Serbi sa më shpejt që është e mundur, por kjo nuk do të thotë se ata kanë vendosur afate të caktuara në qasjen e tyre.

Gazeta Express: A ekziston ende ndonjë mundësi për shkëmbim të territoreve, si zgjidhje finale mes Kosovës dhe Serbisë?

Joanna Hanson: Ekziston gjithmonë mundësia e arritjes së një forme të marrëveshjes territoriale mes Kosovës dhe Serbisë, ndonëse brenda shteteve, siç e dimë, ka kundërshtime të mëdha ndaj kësaj. Pyetja është se a do të ishte e pranueshme një marrëveshje e tillë për ndërkombëtarët dhe institucionet ndërkombëtare, sidomos për BE-në. Edhe Kosova, edhe Serbia janë duke e kërkuar anëtarësimin në BE.

 Gazeta Express: Çfarë mund të na thoni për rolin e Gjermanisë dhe Bashkimit Evropian. A i shihni lëvizjet e Gjermanisë në dialog, si revansh ndaj lëvizjeve të SHBA’së?

Joanna Hanson: Politika duhet të jetë një proces me qasje të kujdesshme. Gjermania dhe Angela Merkel e kanë luajtur një rol udhëheqës, konstruktiv dhe të qëndrueshëm gjatë dhjetë vjetëve të fundit në hapjen e dialogut dhe vazhdimin e tij. Qëndrimi i Angela Merkelit për moslejimin e ndryshimit të kufirit e reflekton qëndrimin evropian të pasluftës. Ata tashmë i kanë lënë shenjat e tyre. Presidenti Vuçiq u është referuar në mënyrë specifike atyre në fjalimet e tij.

Gazeta Express: Për modelin e “Dy Gjermanive”. A mendoni se është propozim ideal dhe i implementueshëm?

Joanna Hanson: Wolfgang Ischinger ishte përpjekur ta paraqesë modelin e dy Gjermanive në negociatat e tij gjatë bisedimeve të Troika-s në vitin 2007. Është një model të cilit i referohemi shpesh. Ai kërkon vullnet të vërtetë politik nga të dyja palët dhe lënie të historisë anash. Ka funksionuar për dy Gjermanitë në kohën kur Republika Demokratike Gjermane ishte pjesë e një blloku komunist në Luftën e Ftohtë. Kjo krijon pyetje të caktuara në kohën kur Kosova dhe Serbia kanë aspirata për anëtarësim në BE dhe përqafim të vlerave evropiane, vlera të cilat Evropën e shohin si union të shteteve që ekzistojnë së bashku, të cilat ia njohin të drejtat njerëzore dhe civile qytetarëve të njëra-tjetrës.

Gazeta Express: Në pikëpamjen tuaj, si do të dukej zgjidhja finale ndërmjet Kosovës dhe Serbisë?

Joanna Hanson: Mendoj se marrëveshja e Brukselit e vitit 2013 ishte një bazë e vlerësuar dhe efektive e marrëdhënieve Kosovë-Serbi. Ajo duhet të zbatohet në mënyrë të plotë dhe korrekte dhe duhet të kompletohet rruga e dy shteteve drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian. Ky ishte njëri ndër objektivat e marrëveshjes. Këtu do të përfshihej njohja përfundimtare reciproke në momentin e duhur. Nuk mendoj se ndonjë çështje e re duhet të përfshihet në negociata. Duhet të jemi të durueshëm, diplomacia merr kohë. Liderët e shteteve duhet t’i vlerësojnë me kujdes reagimet dhe fjalorin e tyre dhe të mbajnë në mend se mirëkuptimi dhe marrëveshja kanë të bëjnë me përmirësimin e jetës së qytetarëve të tyre dhe ndërtimin e besimit mes dy shteteve dhe komuniteteve brenda Kosovës