Graqanica me rrugën “Kosova Metohija”, kërkohet reagimi i institucioneve

Pavarësisht se daton që nga mesjeta apo shekulli i 11-të, nocioni “Metohija” si term kishtar, vazhdon të përdoret edhe sot nga popullsia serbe që jeton në Kosovë, por jo vetëm. Kosovës i referohet ky nocion edhe nga drejtuesit e lartë të institucioneve serbe, por nuk është kjo e gjitha.

Në hyrje të Graqanicës, shumë pak metra larg Prishtinës, një rrugë është e emërtuar si “Kosova Metohija”. Nocion ky i cili jo rrallë herë ka krijuar edhe tensione verbale ndërmjet serbëve dhe shqiptarëve.

Sipas historianit, Muhamet Malaj ky term nënkupton hapësirën që sot në Kosovë është rajoni i Dukagjinit.

Që nga viti 1974, ky term është larguar nga përdorimi dhe për territorin e Kosovës është përdorur “Kosovë”.

Megjithatë, me tendencat për t’u kthyer prapë në atë politikë, ky term është futur prapë në përdorim. Madje, term i tillë po gjendet edhe në rrugët e Kosovës.

KosovaPress ka tentuar të marrë një përgjigje nga Dejan Jovanoviq, drejtor i Urbanizmit në komunën e Graqanices, por një gjë e tillë ka qenë e pamundur.

Për këtë nuk kanë folur as Ministria e Administrimit dhe Pushtetit Lokal, përkundër insistimeve tona.

Historiani Muhamet Malaj thotë se Serbia nuk është liruar asnjëherë nga këto steorotipe të vjetra.

Siç thotë Malaj, kjo është ndër lëshimet e shumta që ka bërë politika e Kosovës.
Gani Hyseni, banor në këtë komunë thotë se institucionet e Kosovës, duhet të reagojnë sa më shpejtë.

Derisa për banorët kosovarë në këtë komunë është shqetësuese një emërtim i tillë, njëjtë nuk ndodhë me ata serbë.

Ekipi i KosovaPress-it ka provuar të pyes edhe disa qytetarë serbë të kësaj komune, por asnjëri nga ta nuk ka folur para kamerës për këtë çështje.Sipas historianit Muhamet Malaj, sikur Kosova të ishte shtet më serioz, atëherë përdorimi i termit “Kosova Metohija”, me kuptimin e serbëve që e përdorin, do të duhej të ndalohej edhe në kuptimin ligjor. Kjo tendencë e këtij përdorimi është akronike dhe tendencioze.