Gjykata shpall fajtor deputetin Ismaili, e dënon me gjashtë muaj burg

Gjykata Themelore në Prishtinë – Departamenti për Krime të Rënda ka shpallur aktgjykimin kundër deputetit të Lëvizjes Vetëvendosje Fisnik Ismajli, për shkak të veprave penale mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve dhe pengimi i personit zyrtar në kryerjen e detyrave zyrtare sipas Kodit Penal të Republikës së Kosovës.

I akuzuari për veprën penale mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve është shpallur fajtor dhe është dënuar me 6 muaj burg, i cili dënim nuk do të ekzekutohet nëse i akuzuari në afat prej 1 viti nuk kryen vepër tjetër penale.

Për veprën penale pengimi i personit zyrtar në kryerjen e detyrave zyrtare, gjykata ka marrë aktgjykim refuzues ngase Prokurori i Shtetit është tërhequr nga aktakuza.

I pandehuri Fisnik Ismajli në vitin 2015 në cilësinë e deputetit të Republikës së Kosovës, kishte fshehur në këpucët e tij dy bombola të gazit lotsjellës derisa hynte në Kuvendin e Kosovës me qëllim që t’i fuste në sallën plenare, të cilat i ishin gjetur gjatë kontrollit nga policia në hyrje të ndërtesës.

Kundër këtij aktgjykimi pala ka të drejtë ankese në Gjykatën e Apelit të Kosovës.