Gjithçka që dihet për tri tërmetet që goditën Kosovën e Shqipërinë

Tri tërmete të fuqishme kanë goditur sot Shqipërinë.

Epiqendra e tërmeteve ka qenë në detin Adriatik, 6 kilometra larg Durrësit, shkruan lajmi.net.

Lëkundjet e forta janë ndjerë edhe në Kosovë, më së shumti në zonën e Dukagjinit.

Tërmeti i parë, ishte më i fuqishmi, me magnitudë rreth 5.6 ballë të Rihterit.

I dyti goditi Shqipërinë 11 minuta më pas, teksa fuqia e tij arriti deri në 5.2 ballë.

Lëkundjet nuk u ndalën më kaq, teksa një tërmet i tretë, më i vogël me shkallë 3.2 ballë të Rihterit goditi bregdetin shqiptar.

Lëkundjet e fuqishme shkaktuan dëme të konsiderueshme materiale në Shqipëri.

Nga fotografitë e ardhura nga fqinji jugor, shihen ndërtesat e çara, makinat e dëmtuara si dhe njerëzit të cilat nga panika kanë dalë në rrugë.

Aktualisht, raportohet për të paktën shtatë të lënduar.

Në Kosovë ndërkaq nuk është raportuar ende për dëme materiale.

Sizmologët në Shqipëri kanë paralajmëruar se dridhje tjera të forta mund ta godasin vendin, teksa njerëzit duhet të rrinë në gatishmëri.

Përveç në Kosovë e Shqipëri, lëkundjet u ndjenë edhe në 8 vende tjera të rajonit.