Gjermania mbështet Kosovën në rrugën e integrimeve evropiane

I Ngarkuari i Përkohshëm me Punë pranë Ambasadës së Gjermanisë në Kosovë, Jan-Axel Voss ka thënë se vendi i tij do të vazhdojë mbështetjen për Kosovën në avancimin e proceseve të integrimit euro-atlantik dhe anëtarësimit në organizata rajonale, evropiane dhe ndërkombëtare.

Ai këto komente i bëri gjatë një takimi me zëvendëskryeministrin e parë, njëherësh shefin e diplomacisë kosovare Behgjet Pacolli, të cilin e ka uruar për zgjedhjen në këto poste.

Në margjina të këtij takimi një vëmendje e posaçme i është kushtuar edhe rritjes së mëtejme dhe hapjes së mundësive të reja të bashkëpunimit ekonomik në mes dy vendeve, me fokus të veçantë nëpërmjet formatit të investimeve të huaja direkte.