Fituesi i zgjedhjeve të 6 tetorit, në dorën e diasporës

Rezultati i zgjedhjeve të 6 tetorit pritet të jetë i ngushtë mes subjekteve politike, mirëpo një rezultat të tillë mund ta përmbysë numri i madh i votuesve që janë regjistruar nga diaspora. Kështu vlerësojnë njohës të çështjeve politike, të cilët theksojnë se favorite për të prirë me mbështetjen e mërgatës qëndron Lëvizja Vetëvendosje.

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka pranuar afër 42 mijë aplikacione nga diaspora për të votuar në zgjedhjet e parakohshme, që do të mbahen më 6 tetor. Mirëpo prej këtyre aplikuesve ky organ i ka shpallur të vlefshëm 35 mijë e 87 votues potencialë jashtë Kosovës, ndërsa ka refuzuar 5 mijë e 226 aplikacione për regjistrim.

Në mbledhjen e mbajtur gjatë ditës së djeshme KQZ-ja gjithashtu ka njoftuar se janë rreth 1669 votues jashtë Kosovës, të cilët janë në listë, por për shkak të skadimit të dokumentit në vendvotim do të dërgojnë një dokument tjetër me afat.