Familja 6 anëtarëshe rrezikohet nga gjarpërinjtë (VIDEO)

Familjes gjashtë anëtarëshe Azemi nga fshati Aqarevë i Skenderajt, çdo ditë po i rrezikohet jeta nga kafshimi i gjarpërinjve. Vajzës 10-vjeçare të kësaj familje pikërisht nga kafshimi i gjarprit ditë më parë iu rrezikua jeta.

Fatime Azemi para derës së shtëpisë u kafshua nga një gjarpër helmues, e që nga dita e hënë ajo është duke u kuruar në Klinikën Infektive të QKUK-së.

Ajo tregon se si u kafshua nga gjarpri derisa ishte duke mbathur këpucët para derës së shtëpisë.

“Jam kanë duke i mbath këpucët, tani gjarpri më ka kafshuar dhe kam ik brenda. Tani nuk i kom tregu nënës një kohë”, tregoi ajo derisa nuk mund të mbante lotët”, ka thënë ajo.

Nëna e Fatimes, Mevlide Azemi, tregon vështirësitë që kanë pasur për të dërguar vajzën në spital, ku për më shumë se 3 orë është dashur të presin të afërmit që të vijnë për ta dërguar vajzën në spital.

Ajo nuk mund të mbajë lotët derisa tregon se te shtëpia e saj përveç gjarpërinjve, shpesh herë kanë parë edhe ujq dhe dhelpra.

“Shumë ligsht është çika, ujq plot nuk e di çka me bë aty, nuk e di qysh me jetua aty, keq jemi për një shtëpi. Dhelpra, ujq si të dal në derë po frikohemi, fëmijët po donë me na i hëngër, vetë frikësona”, ka thënë Mevlide Azemi.

Ndonëse u pranua në gjendje të rëndë, drejtori i Klinikës Infektive Hamdi Ramadani, thotë se gjendja shëndetësore e Fatimës është duke u përmirësuar.

“Kur ka ardhur menjëherë janë vendosur terapia përkatëse, por gjendja e përgjithshme ishte e lodhur, e molisur, tensioni ishte i ulur, kishte ethe vajza, kishte të vjella dhe ne kemi vendosur menjëherë terapinë që është emergjente, pastaj terapia infuzive”, ka thënë Ramadani.

Të gjashtë anëtarët e familjes jetojnë me vetëm 170 euro, të cilat kryefamiljari Selman Azemi i merri si veteran i luftës. Ai ka edhe një vëlla me të meta mendore, e për të cilin duhet të kujdeset.

Për të shkuar te shtëpia e tyre, familja Azemi duhet të ecin në këmbë për më shumë se 1 kilometër, pasi që rruga është e pashtruar dhe është në gjendje shumë të keqe.