“EduMedia” reagon rreth dezinformoftës së shpërndarë ndaj UP-së: Mos besoni gjithçka që lexoni

Instituti EduMedia, përmes një reagimi për media, tërheqë vërejtjen lidhur me plasimin e dezinformatave në rrjete sociale e në medie, që sipas saj, është duke shënuar rritje gjithandej dhe duke shkaktuar hutesë dhe nervozë tek publiku.

“E tillë ishte edhe shpërndarja e një dezinformate kundër Universitetit të Prishtinës, lidhur gjoja me pranimin e një asistenti, që nuk ditka drejtshkrimin. Shqetësues është fakti se atë dezinformatë e besuan dhe e përhapën një numër i madh njerëzish, duke shfryrë edhe akuza të rënda kundër institucionit më të rëndësishëm të arsimit të lartë në vendin tonë”, thuhet në reagimin për media të këtij Instituti.

Sipas këtij Instituti, pre e kësaj propagande nuk ishin vetëm disa të rinj, siç mendohet zakonisht, por edhe shumë persona me kualifikime të ndryshme akademike, gjë që tregon se është rrënuar shumë jo vetëm kohezioni social por edhe aftësia e shumë njerëzve për ta dalluar të vërtetën nga e pavërteta.

“Posaçërisht shqetësues ishte edhe raportimi i disa medieve për këtë rast, duke e plasuar informacionin te publiku pa e bërë as hapin e parë të një gazetarie profesionale dhe etike, verifikimin e informacionin nga burimet”, thuhet në reagim.

Prandaj, Instituti EduMedia u bën thirrje qytetarëve që të kenë vëmendje për ato që lexojnë në rrjete sociale e në medie dhe ta kenë parasysh se aty mund të postohen edhe dezinformata.

“Gjykimi kritik ndaj përmbajtjeve të tilla është i domosdoshëm, për secilin”.

EduMedia fton edhe me këtë rast institucionet shtetërore të arsimit, që të fusin në programet e shkollës lëndën e edukimit medial, e cila do të ndihmonte fëmijët dhe të rinjtë të marrin një edukim adekuat lidhur me mediet dhe të rrisin shkallën gjykimit kritik.

“Gjithsesi nevoja për edukim medial edhe në nivelin joformal për mësuesit dhe qytetarët, po bëhet çdo ditë e më urgjente. Instituti EduMedia është i gatshëm të ofrojë ekspertizën e vet edhe në këtë drejtim. EduMedia është një institut i posa krijuar nga një grup ekspertësh të fushës së medies dhe komunikimit i cili promovon konceptin e edukimit medial në arsimimin formal dhe joformal. EduMedia ka një synim kryesor, mobilizimin e lexuesve të të gjitha moshave dhe nivelit të arsimimit, të zhvillojnë aftësitë e gjykimit kritik ndaj përmbajtjeve mediale dhe hulumtimin e rasteve të keqinformimit duke ofruar udhëzime për lexuesit për të identifikuar indikacionet e përmbajtjeve të tilla në media”.