Dy mijë studentë kanë tërhequr gjërat nga konviktet, edhe 85 persona mbesin në karantinë

Qendra e Studentëve që shërben si karantinë për të riatdhesuarit në Kosovë, momentalisht ka 85 qytetarë që po qëndrojnë të karantinuar. Drejtori i Qendrës së Studentëve, Fatmir Sfishta tha se deri më tani rreth 2 mijë studentë kanë tërhequr gjësendet e tyre që nga 18 maji. Ai shtoi se edhe 2 mijë studentë të tjerë pritet që të marrin gjërat e tyre nga konviktet deri pasnesër kur edhe është afati i fundit për tërheqje.

Qeveria e Kosovës nga 18 marsi ka marrë vendim që Qendra e Studentëve të shërbejë si hapësirë karantine pas rastit të parë të shënuar në Kosovë me Covid-19 me datë 13 mars 2020. Që nga ajo datë 4 konvikte kanë qenë me të karantinuar.

Drejtori i QS-së tha se në këtë qendër janë momentalisht 85 qyetarë të karantinuar.

“Momentalisht numri i qytetarëve të karantinuar në QS është 85”, tha Sfishta.

Sa u përket qytetarëve të Kosovës që sot pritet të arrijnë nga Emiratet e Bashkuara Arabe, Sfishta u shpreh se ata do të karantinohen nëse për këtë vendos Ministria e Shëndetësisë.

“Ne e akomodojmë çdo person për të cilin vendosin MSH-ja dhe ekipet mjekësore që duhet të karantinohet”, u shpreh ai.

Nga data 18 maj deri më 23 maj, studentët banues të konvikteve do të kenë mundësinë t’i tërheqin gjësendet e tyre nga konviktet të cilat janë bosh dhe nuk ka të karantinuar.

Drejtori i Qendrës së Studentëve tha se tërheqja e gjërave është në proces dhe deri më tani rreth 2 mijë studentë kanë tërhequr gjërat e tyre dhe po aq pritet ta bëjnë këtë ditëve në vazhdim.

“Tërheqja e gjërave nga ana e studentëve është në proces, deri më tani i kanë tërhequr gjërat e tyre rreth 2000 studentë. Ndërkaq, edhe 2000 mijë studentë tjerë pritet t’i tërheqin gjësendet e tyre”, tha ai.

Disa studentë janë ankuar për gjësendet e tyre personale se u janë vjedhur në konvikte, e për këtë Sfishta tha se janë duke u koordinuar me policinë për të hulumtuar gjetjen e provave dhe fakteve për këtë.

“Qendra e Studentëve në bashkëpunim dhe koordinim me policinë e Kosovës është duke trajtuar të gjitha ankesat e paraqitura nga studentët banues në konvikte për gjësendet personale të tyre, të cilët pretendojnë se u mungojnë dhe gjëra që u janë dëmtuar.

Qendra e Studentëve së bashku me zyrtarët policorë të Kosovës janë duke hulumtuar në gjetjen e provave dhe fakteve për zbardhjen e ankesave të cilat janë parashtruar nga ana e studentëve”.

Ai shtoi se nuk ka ndonjë plan konkret që gjësendet e humbura të kompensohen.

“Ende nuk është vendosur se si do të veprohet rreth kompensimit”, u shpreh ai.