Drejtoritë e Arsimit: Testimi online dhe gjendja emocionale janë arsyet e dështimit në PISA

Drejtoritë Komunale të Arsimit thonë se dështimi në PISA erdhi për shkak të gjendjes emocionale dhe testimit online të nxënësve.

Testi PISA mori vëmendjen e kosovarëve, por edhe kësaj radhe jo për të mirë. Në mesin e 79 shteteve pjesëmarrjeve, Kosova u rendit në vendin e 76-të, duke shënuar një ngritje të lehtë nga hera e kaluar në lexim e matematikë. Rezultate më të dobëta pati në shkencë.

Saktësisht, 5058 nxënës nga shkolla të ndryshme të Kosovës plotësuan testin në formë elektronike. Dikush si shkaktar të rezultateve të tilla e cilësoi faktorin emocional e të tjerë testimin me kompjuterë, kështu të gjitha komunat e Kosovës arsyetuan rezultatet e dobëta.

Rreth 420 nxënës të Gjilanit i ishin nënshtruar testit PISA. Për t’i përgatitur 15-vjeçarët ishin angazhuar 14 koordinatorë nga komuna. Ndonëse nuk kanë të dhëna specifike për nxënësit e komunës së tyre, nga drejtoria e arsimit në Gjilan pranojnë që testi PISA pasqyron realitetin.

“Sipas informative që kemi testi PISA, është test i standardizuar dhe rezultatet që dalin duhet të merren reale. Rezultatet e publikuara në mjetet e informimit edhe për Komunën e Gjilanit nuk kanë qenë të dëshiruara ndërsa sa i përket rekomandimeve duhet të bëhet një analizë e thellë duke filluar nga shkolla deri në nivelin qendror” u shprehën nga zyra e DKA-së në Gjilan.

E në Pejë testit iu nënshtruan 245 nxënës. Edhe nga kjo komunë po e pranojnë që këto rezultate e pasqyrojnë realitetin.

Megjithatë drejtori i arsimit në Pejë, Besim Avdimetaj po thotë që nxënësit u ballafaquan me vështirësi të natyrës teknike, gjë që sipas tyre ka ndikuar në performancë.

“Rezultatet deri në një masë e pasqyrojnë realitetin, por në anën tjetër gjatë testimit online ka raste kur nxënësit hasin edhe në vështirësi të natyrës teknike  gjë që mund të ndikojë në performancë të nxënësve. Komuna e Pejës këto rezultate i ka pranuar me zhgënjim dhe na obligojnë për mobilizim dhe ndryshime pozitive në sistemin arsimor”, ka thënë Avdimetaj.

Ndersa në Prizren gjithsej 14 shkolla ishin të përfshira në testin PISA. Për drejtoreshën e arsimit,  Xhemile Vezgishi-Thaçi emocionet mund të kenë ndikuar në performancën e nxënësve.

“Si rezultate janë këto, por ne mendojmë se ndoshta ka mundur qe të ndikojë edhe faktori emocional dhe mbajtja e testit elektronik” tha ajo.

Për dallim nga komunat e tjera, në Gjakovë po shprehen më optimistë karshi njohurive të nxënësve të tyre. Drejtori Bernard Frrokaj tha se këto rezultate nuk e pasqyrojnë realitetin.

“Mendimi ynë është që këto rezultate nuk e pasqyrojnë realitetin në masë të madhe, sepse mendojmë se niveli i arsimit në vendin tonë është më i lartë sesa ai që paraqitet në rezultatet e testit PISA. Këtë e bazojmë në rezultatet të cilat i arrijnë nxënësit tanë si në testin e arritshmërisë, testin e maturës shtetërore dhe garat brenda e jashtë vendit” tha Frrokaj.

Por nëse ka probleme me sistemin arsimor në këtë komunë, atëherë të njëjtat po konsiderohen si rrjedhojë e vendimeve të ministrit Bytyqi.

“Rekomandimet tona janë: shqyrtimi i ligjeve dhe  udhëzimeve administrative, ku mendojmë se shumë prej tyre e pengojnë zhvillimin normal të procesit mësimor (duke ju dhënë të drejtën që të avancohen p.sh. edhe tri vite shtesë nga UA 10/2018  mësimdhënësve të cilët janë të pakualifikuar). Mos lejimi që të ketë një listë rezerve të mësimdhënësve (ku dihet se gjatë vitit ka raste që semurët një mesimdhënës dhe e kemi të pamundur mbulimin e vendit të tij të punës)” tha Frrokaj.

Ndërkohë në komunën e Mitrovicës thanë që nuk i kanë pranuar rezultatet si komunë e drejtoria e arsimit në Prishtinë nuk i ka komentuar këto rezultate.