Drejtori i AKI-së nuk raporton, pret Kryeministrin (VIDEO)

 

Drejtori i AKI-së Driton Gashi nuk është paraqitur para Komisionin Parlamentar për raportim, pas dëbimit të shtetasve turq.

Gashi thotë se po pret deri sa të përpilojnë raportin e kërkuar nga Kryeministri për rastin, në mënyrë që raportimi të jetë më i plotë.

E për Gashin foli edhe kryeministri Ramush Haradinaj.

Tha se gjysma e punës për shkarkimin e tij është kryer, kurse gjysma tjetër sipas tij i mbetet në dorë Presidentit.

 

“Gjysma e punës është kryer, do të thotë unë e kam liruar, edhe një gjysmë mbetët, presidenti i ka procedurat e veta, nuk  e kam dëgjuar se refuzon por i ka procedurat e veta.”

Haradinaj gjithashtu tha se ka vlerësim të mirë për punën e Gashit, por theksoi se besimi ndaj tij është thyer.

E presidenti Hashim Thaçi nuk tha asnjë fjalë për të parin e AKI-së, për të cilin Haradinaj po kërkon shkarkim.

Anëtarët e Komisionit po shprehen të zhgënjyer në drejtorin e AKI-së, pasi ky i fundit refuzoi për të tretën herë të paraqitet në raportim.

“Ajo që sot vendosëm si komision është që në rend të parë të marrim një sqarim nga kryeministri, saktë të dimë pozicioninn e drejtorit të AKI-së se a është liruar apo vazhdon të jetë në detyrë, sepse në bazë të ligjit dhe kompetencave që ne i kemi si komision parlamentar për mbikëqyrje të AKI-së, në realitet edhe në bazë të praktikave të kaluara ne është dashur ta kishim një dokument zyrtar nga zyra e kryeministrit dhe të njoftohemi në detaje për hapat që ka marrë për lirimin e detyrës. Deri më sot kur unë po flas nuk kemi një dokument të tillë,” është shprehur anëtarja e Komisionit, Ganimete Musliu. 

Musliu shtoi se nuk do të bëjnë më ftesa, pa u sqaruar rasti.

Vërejtje për Gashin dha edhe deputeti Arbër Rexhaj nga Vetëvendosje, i cili tha se drejtori i AKI-së asnjëherë nuk është sjell mirë kur ka raportuar para komisionit.

“Sa herë që ky drejtor i AKI-së ka ardhë në këtë komision nuk është sjellur mirë. Çdo pyetje të çdo deputeti që e ka për detyrë që ta bëjë kontrollin demokratik ju ka neglizhu. Nuk i është përgjigjur.”

Gjashtë shtetasit turq u arrestuan she dëbuan javën e kaluar, përderisa njëri prej tyre ishte edhe drejtor i njërit prej kolegjeve private në vend. Deri më tani askush nuk ka dhënë ndonjë sqarim se si ndodhi krejt ky rast që bëri bujë të madhe brenda dhe jashtë vendit./GazetaTribuna/