Drejtë vënies së drejtësisë për vrasjen e Fahri Bunjakut, rrëfejnë mjekët (VIDEO)

Mbrëmja e 7 shkurt të vitit 2016, ishte e kobshme për familjen Bunjaku nga fshati Sallabajë i Podujevës.

Atyre ju vra 25 vjeçari, Fahri Bunjaku.

Ngjarja e cila kishte ndodhur në rrugën e “Xhamisë” në Podujevë, la të plagosur rëndë Esat Llugaliun dhe Fahri Bunjakun, ku ky i fundit kishte ndërruar jetë në Qendrën Emergjente në Podujeve.

Për këtë vrasje Prokuroria Themelore në Prishtinë po akuzon Esat Llugaliun, Sadat Llugaliun dhe Fejard Llugaliun.

Të premten para trupit gjykues dolën dy mjekët kujdestarë Istref Plakolli dhe Bejtush Jashari në cilësinë e dëshmitarëve të asaj nate.

Sipas doktorëve dëshmitarë, i plagosuri Esat Llugaliu ishte sjellë i pari në emergjencë, e pas rreth 25 minutash ishte sjellë Fahri Bunjaku.

Aty e kemi pa një person që kërkonte ndihmë dhe ka qenë me dy persona të tjerë. Ai ka qene ne pjesën e pasme të veturës. Ishin dy përcjellës të të plagosurit. Dhe e kemi përcjellë në dhomën e reanimimit të emergjencës. Ne dhome njërin prej tyre e kemi pyet dhe ka thëne qe e kam vlla por ata kane nejt shkurtimisht dhe janë tërheq. Ata më shumë se një minut – dy, nuk kanë qëndruar brenda. Njeri është përgjigjur se e kanë vlla”, tha dëshmitari Plakolli.

Dëshmitari tregon se gjatë dërgimit të Llugaliut në Prishtinë, ka arritur një person tjetër, i cili mjekut iu kishte prezantuar si babai i viktimës.

Viktima dhe babai i tij, sipas dëshmitarit kishin folur se ka të plagosur edhe nga familja Bunjaku.

Ndonëse dëshmitari Plakolli nuk e kishte trajtuar të ndjerin Fahri Bunjaku, ai tregon se e kishte parë në Prishtinë që kishte lëndime trupore në apdomen dhe disa pjesë të tjera.

Por rreth lëndimeve të Bunjakut, nuk mban mend dëshmitari tjetër, po ashtu mjek kujdestar në emergjencën e Podujevës.

Mjeku Bejtush Jashari në cilësinë e dëshmitarit thotë se nuk i ka të freskëta imazhet e të ndjerit, Bunjaku.

Por ai tregon se kur ka arritur në emergjencë ishte me vetëdije.

Ka qenë i vetëdijshëm. Ka tregu që ka dhimbje. Në ato raste është shpëtimi tjerat i marrim sekondare. Më është pështjellë me rastin e parë”, tha Jashari para trupit gjykues.

Avokati Tomë Gashi i bëri pyetje dëshmitarit, Jashari, se kur e ka parë viktimën dha e ka pyetur se çka ke pa, a ka thënë se “mkan gju” vra apo “mka gju”, duke dashur të vihet në theks se a ka qenë një apo disa persona.

Jashari ndonëse i pasigurt e pranon se kishte thënë “mkan gju”.

E avokatët mbrojtës të palëve treguan rreth qëndrimeve të tyre në lidhje me këtë proces gjyqësorë.

Avokati mbrojtës i palës së dëmtuar, Tomë Gashi e quajti këtë sulm “masakër” që ka ndodhur ndaj viktimës, Fahri Bunjaku.

E në anën tjetër avokati Skënder Musa, mbrojtës i të akuzuarit Fejard Llugaliu, tha se klienti i tij, është i pafajshëm. Ai pohon se Llugaliu vetëm e kishte vizituar në spital.

Përndryshe sipas aktakuzës Esat Llugaliun, Sadat Llugaliun dhe Fejard Llugaliun kanë kryer veprat penale vrasje e rëndë dhe mbajtje në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve, sepse me dashje kanë privuar nga jeta tani të ndjerin Fahri Bunjaku për shkak të një konflikti të mëparshëm që kishin rreth biznesit – shitblerjes së kafshëve me shumicë.

E Bunjaku duke tentuar të largohej nga vendi ku i kishin zënë pritë, në vetëmbrojtje kishte plagosur Esat Llugaliun, ndërsa të pandehurit e tjerë Sadat dhe Fejard Llugaliu e ndoqën nga pas duke shtënë në drejtim të tij e pastaj duke e goditur me shkopinj druri.

VIDEO: