“Dorëheqjet në VV skenar i përgatitur” (Video)

Largimet nga Lëvizja Vetëvendosje u bën me skenar të përgatitur. Madje kishin vetëm një qëllim, dëmtimin e kësaj partie.

Kështu po thotë deputetja e këtij subjekti politik, Albulena Haxhiu, e cila pohon se problemet e këtij subjekti, nuk zgjidhen në emisione televizive dhe rrjete sociale, por në organet e brendshme të partisë.

Haxhiu bën me dije se në mbledhjen e kryesisë kanë autorizuar Glauk Konjufcën dhe Shpend Ahmetin, për të diskutuar me grupin e të pakënaqurve.

Megjithatë, e pranon se nuk ka parë ndonjë gatishmëri për rikthim nga një pjesë e të pakënaqurve.

Kurse analisti politik, Fatmir Haxholli, thotë se grupi i pakënaqurve të VV-së nuk janë në situatë të mirë.

Thotë se pavarësisht se çfarë vendimi do të marrin, nuk do të jetë në favor të tyre.

Paralajmërimet e fundit kanë qenë se grupi i të pakënaqurve mund të formojë subjekt të ri politik, por kjo nuk ka ndodhur, e madje ka deklarata se ata po formojnë një grup të ri parlamentar.