Djuric vazhdon me propoagandë: Hetimet serioze s’po i konvenojnë Prishtinës

Drejtori i Zyrës për Kosovë, Marko Djuric tha sonte se refuzimi i Prishtinës që organet politike, gjyqësore dhe organet e tjera serbe të jenë të përfshira në hetimin e vrasjes së Oliver Ivanovicit tregon se ‘autoritetet e Prishtinës nuk kanë ndërmend të kryejnë hetimet në mënyrë serioze’.


“‘Kjo tregon që hetimet serioze nuk po i konvenojnë dikujt. Ky është vendim politik, që të mos ketë hetime serioze nga të cilat do të dilnin të dhëna të caktuara dhe qëllime që nuk flasin aspak mirë për rolin e tyre në krejt atë çfarë ka ndodhur”, tha Djuric, shkruan Gazeta Metro.

Ndërkohë ministri i Drejtësisë, Abelard Tahiri, ka thënë se Serbia në adresë të institucioneve të Kosovës, nuk ka kërkuar përfshirje në hetime, por vetëm ka kërkuar shkëmbim informatash.

Ai thotë se bashkë me përgjigjen për shkëmbim informatash, Kosova do të kërkojë nga institucionet e Serbisë informata shtesë rreth rastit Ivanoviq.

Ai ka shtuar se shkëmbimi i këtyre informatave nuk do të cenojë në asnjë rrethanë hetimet dhe juridiksionin e Republikës së Kosovës në zhvillimin e hetimeve për rastin Ivanoviq.

Por, përfshirje në hetime të vrasjes së Oliver Ivanoviqit, institucionet e Serbisë kanë kërkuar përmes UNMIK-ut dhe EULEX-it. Për këtë, kryeministri Ramush Haradinaj tha se këto dy misione nuk kanë kompetenca për t’i dhënë dikujt autorizim për të marrë pjesë në hetime, shkruan Gazeta Metro.