Diplomacia e Kosovës totalisht e pakoordinuar, përgjegjësi kërkohet edhe nga qeveria

Lajmërimi se Xhamajka e ka njohur Kosovën dhe më pas demanti nga vet ky shtet, ka shkaktuar polemika të mëdha në Kosovë.

Aktualisht, përgjegjësia kryesore ka rënë mbi ambasadoren e Kosovës në SHBA, Vlora Çitaku, që sipas presidentit dhe ministrit të Jashtëm, ishte ajo që e kishte dhënë lajmin se Xhamajka është shteti i 117-të që ka njohur pavarësinë e Kosovës.

Një situatë e tillë, për njohësin e politikave të jashtme, Avni Mazreku nuk është asgjë e re.

Kjo për shkakun se siç thotë ai, skandalet e kanë përcjellur gjithëherë politikën e jashtme të Kosovës.

Megjithatë, në këto rrethana ai thotë se kjo tregon më së miri se sa e pakoordinuar është diplomacia kosovare.

“Rasti i fundit me Xhamajkën, nuk është asgjë e re, për shkak se politikën e jashtme të Kosovës e ka përcjellur një proces skandalizimi i vazhdueshëm, duke përfshirë që nga emërimi i njerëzve që kanë përfaqësuar Kosovën në nivele. Mohimi i Xhamajkës për njohjen e Kosovës tregon më së miri se sa e pakoordinuar është trupa e jashtme e Kosovës, përkatësisht e gjithë struktura institucionale e Kosovës që e përbën spektrin institucional të politikës së jashtme”.

Sipas Mazrekut, kjo do të duhej të ishte thirrje, që pavarësisht ndërrimit të pushteteve, diplomacia duhet të jetë e artikuluar dhe koordinuar.

“Kjo do të duhej të ishte si një thirrje që hapat e parë që do të duhej t’i ndërmerrte në këtë drejtim janë koordinimi institucional i të gjitha veprimeve në fushën e politikës së jashtme. Sepse shteti do të duhej ta artikulonte të veten në politikën e jashtme, edhe në qoftë se në kontekst të ndryshimeve të regjimeve politike, politika e jashtme do të duhej të ishte konsistente dhe uniformalisht e artikuluar. Në këtë rast, kjo tregon më së miri se sa e pakoordinuar është politika e jashtme”, tha ai.

Artan Demhasaj nga organizata Çohu tha se kjo situata për njohjen dhe mosnjohjen e shteti të Kosovës nga shteti i Xhamajkës, tregon se Kosova ka një diplomaci “hajgare”.

Demhasaj thotë se asnjë bartës i institucioneve të Kosovës nuk duhet të jap lajme të tilla pa e marrë dokumentin që vërteton atë njohe.

“Është diplomaci hajgare që zakonisht edhe ambasadorët por edhe bartës të lartë të institucioneve në Kosovë prej ngutisë se cili të dal të jap lajmin e parë për njohjen apo jo të një vendi nguten dhe flasin për njohjen në këtë rast nga ana e Xhamajkës pa e marr një dokument zyrtar që tregon për njohje. Nuk duhet që asnjë bartës i institucioneve në Kosovë të dal dhe të jap një lajm të tillë në publik sepse ky mund të jetë një dezinforimim i publikut pa marr njohjen në bazë të dokumenteve zyrtare. Pra kjo tregon edhe njëherë se çfarë niveli të diplomacisë kemi ne sot kur japin lajm madje edhe presidenti jep një lajm të tillë“.

Njohësi i çështjeve politike madje thotë se ka mundësi që dhënia e lajmit se shtetësia e Kosovës është njohur nga shteti i Xhamajkës, e ka penguar këtë proces.

“Me siguri me gjasa ka q enë në proces çështja e njohjes së Kosovës nga ana e Xhamajkës , mirëpo akoma nuk ka qenë zyrtare sepse nuk e kemi marr atë notën që tregon se Kosova është njohur nga Xhamajka dhe në momente të tilla kur ne kemi publikuar një lajm të tillë akoma pa e marr dokumentin tregon për njohjen e Kosovës kjo mundet me dëmtua sidomos këtë proces. Sepse tashmë Xhamajka ka mundur që edhe nëse e ka pasur në plan për njohje e Kosovës momentin kur e ka parë lajmin akoma pa e dhënë notën diplomatike të njohjes atëherë edhe mundet në një mënyrë me i ra pishman mos me ndodh një gjë e tillë. Për shkak të një nguti që ne sot e kemi nga individë të caktuar të lidershipit politik dhe institucional kjo mundet me ndikua që ne mundemi me humb një njohje që kemi mundur ta kemi pasur gjatë javës që vjen”, theksoi Demhasaj.

Lidhur me çështjen, nuk ka folur ende ambasadorja Çitaku, teksa ministri i Punëve të Jashtme, Glauk Konjufca, ka paralajmëruar se do të ketë veprime konkrete për këtë që ka ndodhur në rastin e Xhamajkës.