Dialogu me Serbinë: Kushtetuta ia shuan pretendimet Albin Kurtit, kompetencat i ka Presidenti

Lëvizja Vetëvendosje dhe Lidhja Demokratike e Kosovës kanë deklaruar sot se së shpejti do të nënshkruajnë marrëveshjen për koalicioni e ri qeverisës.

Kryeministër i qeverisë së ardhshme do të jetë Albin Kurti, kjo e konfirmuar edhe nga kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafa.

E Kurti është i njohur për qëndrimet e tij publike të vrazhda kundër presidentit aktual të Kosovës, Hashim Thaçi, për të cilin në fushatë zgjedhore kishte premtuar edhe se do ta shkarkonte, shkruan lajmi.net.

Përveç kësaj, Kurti shpesh ka deklaruar se pasi të vijë në qeverisje, presidenti Thaçi nuk do të jetë udhëheqës i dialogut midis Kosovës dhe Serbisë.

Por çfarë thotë Kushtetuta?

Lajmi.net ka kontaktuar me ekspertin e Kushtetutës, Riza Smaka i cili për lajmi.net ka interpretuar kushtet ligjore të cilat përcaktojnë se kush e udhëheq dialogun Kosovë – Serbi.

Smaka për lajmi.net është shprehur se Kuvendi ka bërë gabim edhe kur është ngritur Ekipi Negociator për dialogun Kosovë – Serbi.

“Edhe më parë Kuvendi ka bërë gabim kur është ngritur një trup punues i quajtur Ekipi Negociator për udhëheqje të negociatave sepse nuk kishte bazë kushtetutare dhe u bënë 300 mijë euro shpenzime për një kohë të shkurtë”, tha Smaka për lajmi.net.

Presidenti i udhëheq politikat e jashtme, kryeministri konsultohet me presidentin:

Smaka për lajmi.net ka thënë se presidenti është ai që i udhëheq politikat e jashtme, ndërsa kryeministri konsultohet me presidentin.

“Gjithësesi, përderisa është në Kushtetutë ashtu si është duhet të respektohet në përpikmëri. Në kushtetutë qëndron klauza e estipuluar se presidenti i shtetit është shef i shtetit. Dhe presidenti i shtetit i udhëheq politikat e jashtme. Kryeministri i propozon dhe ekzekuton politikat, i propozon, poqëse miratohen, i ekzekuton, ndërsa sa u përket politikave të jashtme, konsultohet me presidentin”, tha Smaka.

Smaka më tutje është shprehur se ligjet thonë këtë dhe ato derisa janë në fuqi duhet të përfillen në përpikmëri.

“Çuditem shumë me ish-deputetë e deputetë të tashëm që i thonë vetës se janë liderë politikë që flasin kundër kësaj që po e them. Është temë tjetër nëqoftëse Kuvendi me shumicë absolute vendos ndryshe, prap se prap do të mbetej në diskrepancë. Ai ligj që është çfarëdo që është duhet të përfillet”, tha Smaka për lajmi.net.

Sipas tij, problem tjetër do të ishte se Serbia nuk do të pranonte që Vuçiqi të diskutoj me dikë që ka status dhe pozitë më të ulët politike sesa ai vet.

“Pas kësaj, do të paraqitej problemi praktik. Serbia e ka kryetarin që e përfaqëson, dhe do të dilte se kryetari i Serbisë të zhvilloj deklarata që nuk është status i rangut të njëjtë i shtetit tjetër. Kjo ka ndodhur edhe kur Ekipi Negociator kur ka shkuar, Mogherini u ka thënë: “Pse keni ardhur ju”, dhe i kanë dhënë nivel të administratorëve”, tha Smaka për lajmi.net.

Smaka është shprehur se me politikat në arsim, shëndetësi, ekonomi dhe të tjera, derisa sa i përket politikave të jashtme, ai tha se kryeministri duhet të konsultohet me presidentin.

Vlen të theksohet fakti se Ekipi Negociator i kryesuar nga Fatmir Limaj e Shpend Ahmeti ishte shpallur jo-kushtetues nga Gjykata Kushtetuese.

Sipas Kushtetutës së Kosovës, neni 84 ku përcaktohen Kompetencat e Presidentit të Kosovës, thuhet se ai është kreu i shtetit dhe përfaqëson unitetin e popullit të Republikë së Kosovës.

Neni 84, pika 1 e Kushtetutës së Kosovës thotë se: Presidenti i Republikës së Kosovës përfaqëson Republikën e Kosovës brenda dhe jashtë.

Neni 84, pika 7 e Kushtetutës së Kosovës thotë se: Presidenti i Republikës së Kosovës nënshkruan marrëveshjet ndërkombëtare në pajtim me këtë Kushtetutë.

Ndërsa, neni 84, pika 10 e Kushtetutës së Kosovës thotë se: Presidenti i Republikës së Kosovës udhëheq politikën e jashtme të vendit.

Sa i përket kompetencave të Kryeministrit në raport me politikën e jashtme, Kushtetuta e Kosovës sipas nenit 94, pika 10 përcakton se: Kryeministri i Kosovës këshillohet me Presidentin për zbatimin e politikës së jashtme të vendit.