Deputetë nga AAK i reagojnë Isa Mustafës: Po e tregon fytyrën e vetë skandaloze

Kryetari i LDK-së Isa Mustafa, me anë të një postimi në facebook ka goditur Ramush Haradinajn për veprimet e vendimet të cilat i ka marrur gjatë qeverisjes së tij.

Mustafa i ka përmendur Haradinajt, Marrëveshjen e Demarkacionit me Malin e Zi, ku sipas tij vendimi për të, e ka “kallur Kosovën”. Mustafa ka theksuar se prej atij vendimi nuk është marrur asnjë vendim për të kthyer kufirin në Çakor dhe në Zhleb.

Sipas Mustafës edhe vendosja e taksës është vënë si mjet për të mbrojtur dështimet gjatë qeverisjes së tij dhe është pasuruar përmes saj.

“Akuza dhe veprimet e tyre nuk më luhatën e as nuk më frikësuan. Prandaj edhe nuk kisha arsye të korrigjohem dhe të reflektoj. Ishin krejtësisht të pabaza dhe me prapavi politike. Ata që e kallën Kosovën për Marrëveshjen e Demarkacionit me Malin e Zi, e miratuan këtë marrëveshje kur erdhën në pushtet. Nga atëherë kaluan dy vite e nuk ndërmorën asnjë veprim ta kthejnë kufirin në Qakor dhe në Zhleb. Qeveria e instaloi taksën, si mjet për tu mbrojtur nga dështimet, si masë populliste. Si rrjedhojë edhe si instrument të evazionit fiskal dhe të kontrabandës së mallrave. Taksën e meritoi Serbia. Por vlen të thuhet se dikush u pasurua edhe me taksën”, ka shkruar ai në Facebook.

Teuta Haxhiu nga radhët e AAK-së në një deklaratë për Periskopin, i është kundërvë Isa Mustafës, duke thënë se Marrëveshja e Demarkacionit me Malin e Zi, e ka vulën e këtij të fundit dhe të Hashim Thaçit.

“Për deklaratën e ish-kryeministrit unë kam pyetje: A është për me hek taksën? Kujtojmë se Marrëveshja për Demarkacionin e votume në Kuvend fatkeqësisht kjo marrëveshje e ardhur në Kuvend e ka vulën e Isa Mustafës, dhe është produkt i Isa Mustafës dhe Hashim Thaçit” ka thënë Haxhiu për Periskopin.

Haxhiu po ashtu ka theksuar edhe deklaratën e Mustafës për taksën, ku sipas saj këto po i bën për shkak të votës.

“Pasi erdhi në krye të LDK-së ai është duke e treguar ftyrën e vetë skandaloze duke folur për taksën, unë jam shumë e sigurt se po të vijë në pushtet Isa Mustafa në ditën e parë do ta hek taksën, e këtë po e bën vetëm për votë dhe vetëm për populizëm” ka theksuar ajo.

Lidhur me reagimin e Mustafës për Periskopin ka folur edhe deputeti nga radhët e AAK-së Shkumbin Demaliaj, i cili ka theksuar se qeveria Haradinaj ka ndryshuar ligjin për marrëveshje, dhe se korrigjimi do të ndodhë.

“Qeveria Haradinaj e ka ndryshuar ligjin për marrëveshjen, janë ndryshu tri pika të marrëveshjes më ligj, tani do të duhët të ndodhë korrigjimi. Ne jemi të vetëdijshëm që ajo do të ndodhë, për nënshkrimin e marrëveshjes dihet që ka ndodhur në qeverinë Mustafa. Për taksën se a është populist le ti dëgjon listat e Beogradit Mustafa, taksa nuk hiqet pa njohje reciproke”, ka shtuar Demaliaj për Periskopin.