Demarkacioni barrë për qytetarët (Video)

Nuk është ndonjë protestë. E as nuk po presin për ndonjë koncert, apo ndeshje futbolli.

Mijëra qytetarë të cilët për disa orë bllokuan edhe komunikacionin, janë duke pritur para ambasadës gjermane për të aplikuar ose për të marrë vizë pune, biznesore, apo për bashkim familjar në Gjermani.

Ankesat e tyre për këto pritje të gjata janë të shumta dhe fajësojnë institucionet se nuk po punojnë aq sa duhet për të liberalizuar vizat.

Ata gjithashtu theksojnë se po humbin kontrata të mira pune në Gjermani dhe se shumë prej tyre nuk po mund të bashkohen me familjet e tyre.

Agjencitë private që merren me shërbime turistike të cilat punojnë pranë ambasadës tregojnë se çdo të enjte bëhet kjo tollovi e madhe.

Në kushte anonimiteti dhe prapa kamerës tregojnë se vizat më të kërkuara janë ato të punës, të biznesit dhe lejet për bashkim familjar.

Sipas tyre një qytetar për të marrë një përgjigje, e cila në fund mund të jetë edhe negative, duhet të presin minimum një vit. Por, ka prej tyre që për një përgjigje kanë pritur edhe deri në një vit e gjysmë.

Këto pritje të gjata para ambasadave ka mundësi të zgjasin edhe për shumë kohë, nëse në kuvend nuk kalon demarkacioni, një nga kushtet e mëdha të vendosura nga Bashkimi Evropian për liberalizim të vizave.