Debati për energjinë, opozita lëshon mbledhjen e Kryesisë

Përfaqësuesit e partive opozitare e kanë lëshuar në mënyrë demonstrative mbledhjen e Kryesisë së Kuvendit, pasi pozita nuk e ka mbështetur kërkesën e tyre për futje në rend dite në seancën e radhës çështjen e peticionit të qytetarëve për ngritjen e çmimit të energjisë.

Përfaqësuesit e opozitës thanë se kjo tregon se partitë në pushtet nuk janë të interesuar për interesin e qytetarëve pasi kjo ngritje nuk i prek ata, por qytetarët e thjeshtë.

Ata i kanë bërë thirrje Komisionit përkatës që ta shqyrtojë këtë çështje në mënyrë urgjente dhe ta diskutojnë në seancën e ardhshme plenare që do të mbahet të enjten.

Kryetari i Kuvendit Kadri Veseli, ka thënëë se u pajtuan që të enjten të ketë seanca por nuk kishte konsensus për disa çështje të cilat do të diskutohen.

Duke folur rreth rezolutës së hartuar nga PDK, për padi ndaj Serbisë për dëmet e shkaktuara në luftë, Veseli ka thënë se kjo rezolutë do të harmonizohet mes të gjitha grupeve dhe do të diskutohet në mbledhjen e ardhshme të Kryesisë.