Clark: Ky dialog duhet të çojë në normalizimin e marrëdhënieve

Gjenerali amerikan në pension, Wesley Clark ka folur edhe për bisedimet në mes Kosovës dhe Serbisë, ku ai u shpreh se dialogu duhet të çojë në normalizimin e marrëdhënieve në mes dy vendeve.

“Është një lidhje shumë e vështirë. Kur ishim në bisedime për paqe dhe po mundoheshim që ta zgjidhnim problemin e Bosnjës në vitin 1995, ne ishim të vetëdijshëm se ka pasur probleme në Kosovë. Administrata e presidentit Xhorxh H. Bush në vitin 1992 kishte lëshuar të ashtuquajturin “paralajmërim për Krishtlindje”, i cili nënkuptonte se nëse Millosheviq do të shkaktonte dhunë në Kosovë, atëherë do të merreshin veprime të forta. Dhe kjo për mua do të thoshte se do të kishte bombardime nga SHBA ose NATO në vitin 1992. Pra, ishim të vetëdijshëm se kishte një problem. Gjatë bisedimeve, Millosheviq këmbënguli se ai nuk do të diskutonte për Kosovën, pasi që sipas tij, kjo ishte një çështje e brendshme, dhe si e tillë nuk duhej të diskutohej. Pra, ne e pamë këtë dhe tragjedinë këtu. Pra, me këtë histori natyrisht do të duhet shumë vite për të kapërcyer këtë…Duhet që disi t’i kapërcejmë këto kujtime dhe të ndërtojmë marrëdhëniet midis fqinjëve. Pra, ekziston një dialog që duhet të ndodhë midis Kosovës dhe Serbisë. Ky dialog duhet të çojë në normalizimin e marrëdhënieve. Unë inkurajoj që Kosova dhe Serbia të marrin pjesë në mënyrë aktive dhe efektive në bërjen e kësaj”, tha ai.

Ndërsa, ka thënë se një nga sfidat me të cilat përballet Qeveria dhe udhëheqësit e Kosovës është krijimi i mjedisit të biznesit.