Cakaj: Kufiri Kosovë – Shqipëri nuk duhet të ekzistojë fare

Ministri në detyrë për Evropën dhe Punët e Jashtme i Republikës së Shqipërisë, Gent Cakaj, ka folur para mediave pas takimit me homologun e tij në Kosovë, Glauk Konjufcën.

Cakaj tha se kanë biseduar sot me Konjufcën për zgjerim të bashkëpunimit në mes të dy shteteve.

“Puna e ministrit Konjufca veçanërisht në rrethanat ekzistuese në një kohë kur ka pikëpyetje të shumta është thelbësore për forcimin e mëtejmë ndërkombëtar të pozicionit të Kosovës dhe si rrjedhojë nuk është vetëm çështje e Kosovës, por edhe çështje e lartësimit të interesave kombëtare në përgjithësi.

Jam i lumtur që jam në Kosovë për dy arsye, po vi në një periudhë sapo është formuar qeveria, për t’i dhënë shtysë të re bashkëpunimit mes dy vendeve dhe e dyta është mbajtja e bisedave që zhvilluam sot për të zgjeruar bashkëpunimin”, ka thënë ai.

Ministri shqiptar ka falënderuar Kosovën për ndihmën gjatë tërmetit në Shqipëri, duke thënë se qeveria e Kosovës ka dhënë një financim të vyer pas tërmetit.

Tutje, ka shtuar se kufiri në mes të dy shteteve është vetëm simbolik.

“Tragjedia dëshmoi edhe njëherë se kufiri që ndan dy vendet është simbolik dhe se bashkëpunimi duhet të thellohet pashmangshëm. Kufiri mes Kosovës dhe Shqipërisë nuk duhet të ekzistojë fare, duhet të hiqet menjëherë dhe vendet tona duhet të gëzojnë liri të pakufizuara qarkullimi”, tha ai.

Cakaj shtoi se kanë trajtuar sot disa probleme me Konjufcën, siç është ai i ambasadave të përbashkëta.

“Me z.Konjufca trajtuam disa probleme që janë thelbësore për bashkëpunimin. E shprehëm gatishmërinë për zhvillimin e ambasadave të përbashkëta. Ne jemi të gatshëm edhe në një numër të konsiderueshëm që të vazhdojmë në të njëjtën praktikë. Dua të theksoj se marrë parasysh se kemi nevojë për konkretizim të bashkëpunimit dhe mbledhje të dy qeverive, i kam propozuar z.Konjufca dy marrëveshje fillestare, e para është që duhet të mblidhemi që të firmosim një marrëveshje për ndarje të shpenzimeve në një fushatë për lobimin e njohjeve të Kosovës. Marrëveshja e dytë është ajo për transmetimin e përvojave në procesin e integrimit evropian”, ka thënë ai