Bombardimet e NATO-s, mes shpresës dhe tmerrit

Ishte prilli vitit 1999, pikërisht në kohën kur Kosova iu gëzua bombardimeve të NATO-s, një bombë ra mbi civilët në fshatin Bistazhin të Gjakovës, duke lënë të vrarë shumë civilë të pafajshëm. Në mesin e tyre e vrarë mbeti edhe Besarta Smajli, vetëm 7 vjeçare.

Tmerrin që përjetuan ata, nuk mund ta përshkruaj askush, madje, as ata që ishin dëshmitarë. Ndonëse kanë kaluar 20 vjet, dhimbja për familjen Smajli është e njëjta si në kohën 14 prillit të 99-ës.

Besarta nuk e kishte idenë se çfarë po ndodhte, ishte e pafajshme si shumë kosovarë të tjerë. Ajo po priste që Kosova të çlirohej nga çetnikët serbë, dhe ta vazhdonte jetën si shumë moshatarë të saj.

Por, në 14 prill të po atij viti, ndodhi tmerri dhe shpresa e saj për jetë u shua përgjithmonë. Vdekja e gjeti Besartën e hipur mbi një traktor, ku së bashku me familjen u munduan të largoheshin nga mllefi i serbëve, që kishin vetëm një mision, vrasjen e të të pafajshmëve.

14 prilli i asaj kohe ka vetëm një thënie. Bombardimet e NATO-s, mes shpresës dhe tmerrit.