Bizneset në krizë, MTI ofron përkrahje (VIDEO)

 

Situata ekonomike në vend nuk është në nivelin e duhur dhe se bizneset në përveç vështirësive në eksport, po kanë edhe barriera tjera të brendshme që vështirësojnë rritjen e konkurrencës së kompanive.

Ministri i Tregtisë dhe Industrisë, Bajram Hasani, thotë se po punohet për përmirësim të kushteve për tregtim nacional dhe rajonal.

 

“Ky protokoll tani më ka hyrë në fuqi dhe implementimi i tij do të jetë si në nivel nacional ashtu edhe rajonal pasi që synimi protokollit nuk është vetëm përmirësimi i  kushteve në nivelin nacional por edhe përmirësimi kushteve për të tregtuar në nivelin rajonal dhe vendeve anëtare të CEFTA-s”.

Ministri Hasani tha se do vazhdojnë që ndërmarrin masa sipas ligjeve në fuqi me qëllim të largimit të barrierave me të cilat ballafaqohen prodhuesit vendës.

Edhe nga USAID- po thonë se Qeveria e Kosovës duhet të punojë për interesat e sektorit privat.

“Ju duheni të gjithë të punoni së bashku dhe është gjithashtu e rëndësishme që sektori privat të punojë bashkërisht me Qeverinë dhe të lobojë për interesat e tyre sepse pa një sektor privat të fuqishëm nuk do të ketë ekonomi të mirëfilltë, sektori privat është baza e ekonomisë dhe pa zërin e sektorit privat të dëgjuar nga Qeveria, ekonomia nuk do të mund të lulëzojë,” shprehet Brian Martalus  nga USAID.

Kurse, Bahri Berisha, drejtori i përgjithshëm i Doganës së Kosovës tha se janë duke punuar që të bëhen pjesë e Konventës së Përbashkët të Transitit, që shkëmbimi i licencave me agjencionet tjera kufitare të bëhet në mënyrë elektronike.

Ndërsa kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, Safet Gërxhaliu, tha se krahas mbështetjes përmes fondeve dhe subvencioneve, sektori privat ka nevojë edhe për mbrojte të produkteve të tyre.

Krejt këto u thanë në konferencën me temë “Lehtësirat tregtare, rëndësia e tyre në zhvillimin e tregtisë ndërkombëtare”, organizuar nga  MTI dhe USAID në Kosovë./TribunaChannel/