Biletat e shtrenjta të kompanive ajrore mbeten shqetësim për deputetët

Gjatë një debati të gjatë për fushën e Aviacionit Civil, në komisionin parlamentar për Zhvillim Ekonomik, ka pasur mjaft vërejtje nga deputetët për shërbimet, çmimet dhe sigurinë në aeroportin ‘Adem Jashari’.

Driton Gjonbalaj, drejtor i përgjithshëm i Aviacionit Civil të Kosovës, duke raportuar për raportin e auditorit për vitin 2017, tha se AAC ka përmbushur të gjitha kriteret e MSA-së dhe në raportin për Kosovën për 2017 është vlerësuar se ka progres.

“Nuk është evidentuar asnjë incident serioz në vitin 2017 në fushën e aviacionit civil. Garantojmë se siguria në Republikën e Kosovës nuk është cenuar asnjë herë gjatë vitit 2017 dhe deri më tash në fushën e aviacionit. Kemi dhënë gjoba për aterrime të paautorizuara”, ka thënë Gjonbalaj.

Ndërsa, anëtari Gani Dreshaj ka thënë se biletat e udhëtimit dhe parkingut në aeroportin ‘Adem Jashari’ janë mjaft të shtrenjta, si dhe pritjet e gjata në sportel.

Memli Krasniqi, anëtar, ka kërkuar të di nga autoriteti i Aviacionit civil se pse me licencë të Adria Airways operon me një aeroplan të një kompanie tjetër nga Kroacia, e cila nuk ofron kushte dhe siguri për udhëtarët.

Po ashtu vërejtje për këtë kompani, ka dhënë edhe deputetja Mimoza Kusari-Lila, e cila tha se nuk është serioze me udhëtarët, për anulimet e fluturimeve dhe manipulimeve. Po ashtu ajo ka kërkuar edhe përgjegjësi për sigurinë e udhëtarëve në fushën e aviacionit civil për persona të armatosur siç ka ndodhur me një test ditë më parë.

Kryesuesi i Komisionit, Dardan Sejdiu ka ngritur çështjen e prishjes së radarëve dhe mungesës së gjeneratorit në Agjencinë për Navigimin e Shërbimeve Ajrore.

Drejtori Driton Gjonbalaj tha se për rritjen e çmimit të biletave në kohën sezonale për fluturime, është njoftuar Autoriteti i Kokurrencës në Kosovë, dhe kjo çështje duhet hetuar. Ai beson se me liberalizimin e vizave do të zbriten edhe biletat.

Ai tha se për fat të keq, anulime dhe vonesa ka në çdo vend, por mënyra e parandalimit është në rregullore të Ministrisë së Infrastrukturës, ku nëse ka vonesë mbi tri orë, duhet të kompensohet udhëtari prej 250 deri 600 euro.

Gjonbalaj ka pranuar se ka pasur prishje të radarëve gjatë vitit 2016 dhe në vitin 2017 në Agjencinë për Navigimin e Shërbimit Ajror, por ai tha se për asnjë sekondë nuk është rrezikuar siguria kombëtare.

Po ashtu në këtë Komision ka raportuar edhe kryesuesi i Autoritetit të Konkurrencës, Valon Prestreshi, i cili tha se ky komision ka hetuar 13 tregje, atë të naftës, sigurimeve, telekomunikacionit, tregun farmaceutik etj.

Ndërsa, deputetja Hikmete Bajrami ka thënë se ekziston tregu me monopol, siç është rasti me homologimin e automjeteve.

Prestreshi tha se kanë reaguar ndaj një udhëzimi administrativ për shtrembërimin e konkurrencës në tregun e homologimit. Ai tha se ka mbetur që në këtë javë të ulen së bashku me drejtues të Ministrisë së Infrastrukturës për rregullimin e këtij udhëzimi administrativ për fiksimin e çmimit që janë të ndaluara në bazë të ligjit të konkurrencës.

Komisioni ka shqyrtuar dhe miratuar Pakon Legjislative për ndryshimin dhe plotësimin e Projektligjeve në fushëveprimin e Ministrisë së infrastrukturës, me qëllim të harmonizimit me Ligjin për Kundërvajtje.

Zëvendësministri i Infrastrukturës Fehmi Mujota, tha se ligji për patentë-shofer, ai për trafikun rrugor, hekurudhat, rrugët është mirë të harmonizohen nenet dhe se ka nevojë për ndryshime, në mënyrë që të bëhen funksionale.