BIK-u i bashkohet aksionit për pastrimin e Kosovës

Myftiu Tërnava sot priti në takim ushtruesin e detyrës së ministrit të Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, z. Fatmir Matoshin me të cilin diskutuan rreth aksionit të pastrimit të Kosovës, i cili është ndërmarr nga kjo Ministri, shkruan TemaDitore.com

Ata në një prononcim për media folën rreth rëndësisë së madhe që ka pastërtia në jetën e qytetarëve të Kosovës.

“Ne si Bashkësi Islame e Kosovës jemi gati çdoherë me të gjitha institucionet tona që të japim kontribut për vepra të mira, ndaj me këtë rast e përgëzoj Ministrinë e Planifikimit Hapësinor për iniciativën e marrë, ngase islami kërkon që ne të jemi të pastër, të jenë të pastra vendet tona, shtëpitë, lagjet dhe vendet ku jetojmë. Pastërtia me një domethënie tjetër është jeta, është vetë shëndeti. Bashkësia Islame do të jap kontributin e saj në ditën e xhuma, ku në të gjitha xhamitë, imamët tanë do të ligjërojnë për pastërtinë e ambientit, dhe jemi të bindur se do të gjejmë përkrahje edhe nga besimtarët tanë” tha mes tjerash myftiu Tërnava.

Ai nuk la pa përmendur edhe thëniet e profetit të fundit, i cili i ka kushtuar rëndësi të madhe pastërtisë, sa që në një thënie të tij ai ka thënë “Pastërtia është pjesë e besimit”.

Myftiu Tërnava porositi gjithashtu që të ruhen pyjet, lumenjtë, vendpushimet dhe vendet e gjelbëruara në përgjithësi, sa që përmendi edhe thënien e profetit Muhamed, ku ai ka thënë: “Nëse ke në dorë një fidan dhe po e she se po ndodh kiameti, mbille atë”

Nga ana e tij ushtruesi i detyrës së ministrit, z. Fatmir Matoshi tha se kemi marrë mbështetje të parezrevë për aksionin më të madh të pastrimit që nga paslufta e deri tani.

“Bashkësia Islame është institucioni tepër i respektuar dhe i rëndësishëm, ajo ka 800 xhami, në të cilat do të bëhet thirrje për mobilizim për pastrim, e që shpresojmë të gjejmë përkrahje të madhe te besimtarët. Me Bashkësinë Islame të Kosovës do të bashkëpunojmë në të gjitha fushat, se kemi nevojë për mbështetjen e këtij institucioni për një Kosovë më të pastër”, tha mes tjerash z. Matoshi./