Betohen diplomatët e rinj, Cakaj dhe Pacolli: Diplomacia shqiptare në një moment historik

Nën kujdesin e veçantë të Ministrit në Detyrë për Evropën dhe Punët e Jashtme, Gent Cakaj, u zhvillua, në ambientet e Ministrisë për Evropën dhe Punët e Jashtme, ceremonia e Aktit të Betimit të gjeneratës 2019 të diplomatëve, të cilët u pranuan në sistemin e karrierës.

Nëntë diplomatë të rinj, të pagëzuar me emrin gjenerata “Sami Frashëri” u betuan në prani të kolegëve të Ministrisë për Evropën dhe Punët e Jashtme dhe të familjarëve të tyre, në një ceremoni, të cilën e përshëndeti edhe Kryeministri i Parë dhe Ministri i Jashtëm i Republikës së Kosovës, Behgjet Pacolli, si Mentor i kësaj gjenerate.

Pas interpretimit të himnit kombëtar, diplomatët e rinj shqiptarë, u betuan sipas formulës së shprehur në Ligjin për Shërbimin e Jashtëm të Republikës së Shqipërisë, për t’i shërbyer interesave të popullit dhe atdheut.

Ceremoninë e përshëndetën Ministrat Cakaj dhe Pacolli, duke vënë në dukje rëndësinë që ka përkushtimi ndaj atdheut, kombit dhe detyrës për vijimin e një karriere diplomatike të suksesshme.

Në mënyrë të veçantë, Kryediplomati Cakaj, vlerësoi se këta diplomatë i bashkohen shërbimit të jashtëm në një moment kyç për të ardhmen evropiane dhe euroatlantike të shtetit dhe të kombit shqiptar, si dhe shprehu besimin se ata do të bëhen pjesë aktive e sfidave me të cilat përballet shërbimi i jashtëm shqiptar veçanërisht për çeljen e negociatave të anëtarësimit në BE, kryesimin e OSBE-së dhe përpjekjeve për t’u ulur për herë të parë në tryezën e Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara në vitin 2022.

“Pavarësisht paparashikueshmërive është e qartë se diplomacia shqiptare për momentin po kalon në tre fusha tepër delikate, të cilat mbase përbëjnë një prej periudhave më interesante të historisë së diplomacisë shqiptare në përgjithësi. Diplomatët e rinj do të kenë nderin dhe po ashtu detyrën dhe sfidën që të veprojnë pikërisht në këto rrethana” – u shpreh Cakaj.

Edhe Ministri Pacolli nga ana e tij, vlerësoi ripërtëritjen e kuadrit diplomatik të Shqipërisë, qëllimi i të cilës ka qenë rritja e cilësisë së përfaqësimit të Shqipërisë nëpër botë, por edhe ngritja e profesionalizmit të shërbimit diplomatik të Shqipërisë.

Tashmë një traditë e Ministrisë për Evropën dhe Punët e Jashtme, Gjenerata “Sami Frashëri” ishte gjenerata e pestë që kryen ceremoninë e Aktin të betimit.

Gjenerata e parë, në vitin 2015 u quajt “Urdhri i Skënderbeut”. Gjenerata e dytë, u emërtua gjenerata “Rauf Fico”, duke vijuar me gjeneratën e vitit 2017,“Ismail Qemali”, si dhe gjenerata e vitit 2018 që mban emrin “Fan Noli”.