BE mirëpret kthimin e serbëve në institucione

Kthimi i serbëve në institucionet e Republikës së Kosovës ka marrë përkrahje nga Bashkimi Evropian.
Komisionerja e Lartë e Bashkimit Evropian për Çështjet e Jashtme dhe të Sigurisë, Federik Mogherini ka deklaruar se hapat e tillë duhet të mbështetën pasi të çojnë në një të ardhme më të mirë për komunitetet në vend.

Lidhur më këtë çështje, analisti politik, Halil Matoshi për Gazetën Tribuna tha se përkrahje e tillë nga BE është pritur sepse, sipas tij, BE-ja ka ndikuar fuqishëm tek Beogradi zyrtar dhe rrjedhimisht edhe tek serbët kosovarë.

“ Natyrisht se BE-ja i shtynë përpara agjendat e saj në rajon, që d.m.th., paqen dhe stabilitetin si dhe demokracinë dhe të drejtat e njeriut. Natyrisht se BE-ja ka ndikuar fuqishëm tek Beogradi zyrtar dhe rrjedhimisht edhe tek serbët kosovarë. Pjesëmarrja e serbëve kosovarë në Institucionet e Republikës së Kosovës jo vetëm që garantohet me Kushtetutën e saj, por është edhe leva mbi të cilën është hartuar Pakoja Ahtisaari që e ka mundësuar pavarësinë e Kosovës, njëherësh e bënë funksional shtetin e Kosovës në tërë territorin e vet. Sepse të qeverisësh një territor d.m.th., të jesh i pranishëm me një pushtet legjitim në atë territor dhe i vetmi pushtet legjitim aktualisht në veri të Kosovës është Qeveria e Kosovës, paçka se ata janë etnikisht serb, ata participojnë në sistemin politik dhe juridik të Republikës së Kosovës”, ka deklaruar Matoshi.

Mënyra më e mirë për ta shmangur gjuhën e urrejtjes, sipas Matoshit është të punojmë se bashku duke u mbështetur në vlerat e përbashkëta evropiane.

“Kosovarët duhet të punojnë së bashku dhe në paqe për ta shmangur përfundimisht fashizmin verbal, përkatësisht gjuhën e urrejtjes (për çfarë ishte shkarkuar ministri Jablanoviç) duke u mbështetur në vlerat e përbashkëta evropiane, për t’u shndërruar në komb modern e të mirëqenë”, ka thënë Matoshi për Gazetën Tribuna./Gazeta Tribuna/